16 Tetor 2014 – Shqipëria nënshkroi sot marrëveshjen me shoqërinë CEZ a.s për Transferimin e Aksioneve të shoqërisë OSHEE, të cilat ishin në pronësi të shoqërisë CEZ a.s. Tashmë 100% të aksioneve të shoqërisë OSHEE i kalojnë shtetit shqiptar dhe në këtë mënyrë përfundon edhe faza e administrimit të përkohshëm të shoqërisë e cila kishte filluar që në Janar 2013.
Njoftimi u bë i ditur zyrtarisht nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë I cili shton se kjo marrëveshje përmbyll edhe procesin e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me shoqërinë CEZ a.s, që u nënshkrua në qershor 2014.
Përfundimi i këtij procesi i krijon tanimë mundësinë qeverisë që të fillojë reformimin në mënyrën e administrimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe në sajë edhe të mbështetjes së donatorëve, të ndërhyjë për kryerjen e investimeve që synojnë përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në të gjithë komponentët dhe rritjen cilësore të shërbimit ndaj konsumatorëve.
(Ministria e Energjisë dhe Industrisë)