Lokalet e ish-Bllokut, qiraja jo më pak se 10 USD/m²

19 Qershor 2015 – Kryeqyteti ndahet në 32 zona urbane, që kanë çmime të ndryshme të pasurisë së patundshme. Deri dje, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat, subjektet deklaronin lirisht shumat e fiksuara në kontratat e noterizuara për qiranë. Nga data 15 korrik 2015, çmimi mbi të cilin bëhen përllogaritjet tatimore, nuk mund të jetë më i vogël se sa e ka caktuar tabela e referencës për qiratë.

Ndryshimi radikal pritet të ndodhë në tatimin e pronarëve të lokaleve të dhëna me qira në zonën e ish-Bllokut. Aty çmimet variojnë me nga 1 mijë euro e lart, por deri sot paguhej tatim sa për qiranë e një apartamenti modest në periferi. Tani vendoset minimalja e lejueshme për qiranë e lokaleve në ish-Bllok për efekt tatimi, që është 1 140 lekë/m². Ndërkaq, vlera e qirasë për një garazh të nëndheshëm në këtë zonë do të llogaritet jo më pak se sa 399 lekë/m². Po kaq do të jetë edhe çmimi dysheme për një bodrum të dhënë me qira në një nga ndërtesat e vendosura në ish-Bllok. Kurse qiraja e një zyre do të përllogaritet duke marrë si dysheme vlerën e barabartë me qiranë mesatare mujore të një apartamenti banimi në këtë zonë, që është 570 lekë/m². I njëjti çmim do të pranohet edhe për magazinat e dhëna me qira në këtë zonë. Edhe parkimi kushton shumë në zonën e ish-Bllokut. Për parkimin e hapur, vlera referencë minimale mujore është 171 lekë/m². Më të fituar do të jenë ata që japin me qira ambiente të pallateve të vjetra, të ndërtuara para vitit 1992, të cilat ishin banesa shtetërore dhe u privatizuan në favor të poseduesve. Këto lokale, në pallatet e vjetra të ish-Bllokut, do të trajtohen me qiranë minimale mujore 399 lekë/m².

Periferia

Kurse në zonat periferike të Tiranës, ku infrastruktura është zakonisht e nivelit të dobët, qiraja do të jetë më e ulët, bazuar edhe në vlerat e shitjes së apartamenteve në këto zona. Kështu, një dyqan në periferi do ta ketë minimalisht qiranë 360 lekë/m². Të njëjtën dysheme ka qiraja edhe për magazinat dhe zyrat në këto rajone. Ndërsa vlera e qirasë së një garazhi në një ndërtesë larg qendrës së Tiranës do të jetë minimalisht 126 lekë/m² në muaj. Po ashtu, këtë vlerë dysheme kanë edhe qiraja për një bodrum në periferi. Më lirë është edhe parkimi në periferi. Sipas tabelës së referencës, parkimi i hapur e ka qiranë mujore 54 lekë/m². Çmime jo shumë të larta për qiranë llogariten edhe për komunat, që tashmë janë bërë pjesë e bashkisë së Tiranës. Kështu, një lokal në zonën e Kasharit përllogaritet me qiranë mujore minimale 3150 lekë/m². Ndërsa një dyqan në zonën e Dajtit e ka qiranë jo më pak se 3180 lekë/m². Më të larta do të jenë qiratë sipas tabelës së referencës për Komunën e Farkës, edhe kjo pjesë e Tiranës. Një lokal në këtë zonë rezidenciale, sipas Tatimeve, do ta ketë qiranë minimale 3870 lelë/m². Ndërsa për lokalet në pallatet e vjetra në këto zona, qiraja minimale mujore llogaritet në kufirin e poshtëm 126 lekë/m². Si bazë për përllogaritjet e referencës së qirasë përdoret udhëzimi i qeverisë i muajit gusht 2014, “Për miratimin e kostove mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”. Çdo vit, qeveria miraton tabelat me vlerat e tregut të pasurive të patundshme, që shërbejnë si bazë për programet sociale të strehimit në zonat urbane, por edhe për fushën fiskale. Në gusht 2014, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, ishte 39 482 lekë/m², për sipërfaqe shfrytëzimi. Kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve, përgatitet nga Ministria e Zhvillimit Urban.

(Zamir Alushi/ Gazeta Shqip)

Gjirofarm SH.A