Leku zhvlerësim historik kundrejt Dollarit

13 Mars 2015 – Ndonëse ka qëndruar në ekuilibër me euron, leku është zhvlerësuar me ritme të forta ndaj të gjitha monedhave të tjera kryesore të botës.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se prej ditësh dollari amerikan e ka kapërcyer kuotën e 130 lekëve, ndërsa paundi britanik për herë të parë po këmbehet në tregun e brendshëm me gati 200 lekë.

Këto kuota historike në kursin e këmbimit janë rezultat i një zhvlerësimi të vazhdueshëm të lekut ndaj monedhave më të mëdha të botës, që nga fillimi i vitit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, leku është dobësuar me 11.1 për qind ndaj paundit, 13.3 për qind ndaj dollarit dhe po në ritme dyshifrore ka humbur terren edhe ndaj frangës zviceriane e jenit japonez.

Ky është një ritëm shumë i fortë dobësimi, i ngjashëm me atë që monedha kombetarë përjetoi në vitin 2009. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se këto lëvizje, pasqyrojnë atë që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave, por me një veçori.

Leku ndjek me përpikmëri euron dhe çdo dobësim i monedhës europiane ndaj dollarit, paundit apo çdo monedhe tjetër përcillet automatikisht edhe si dobësim i tij ndaj tyre. Një situatë e cila ka ngritur pyetjen se çfarë është duke ndodhur në tregun valutor dhe pse leku po ndjek me përpikmëri fatin e euros.

Shqipëria ka një regjim të lirë në kursin e këmbimit, por duket sikur kursi euro-lek është i fiksuar. Në kushte normale euro duhet të ishte dobësuar edhe ndaj lekut, por kjo nuk ka ndodhur.

Ekspertët thonë se kjo situatë është tërësisht rezultat i tregut dhe transaksioneve të lira që individët zhvillojnë në të. Sipas tyre, vetë tregu, individët dhe bizneset duket se duan një kurs stabël euro-lek, pavarësisht asaj që ndodh me monedhat e tjera.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A