Lehtësitë fiskale për “Zonat e lira ekonomike”

25 Qershor 2015 – Nisja e muajit Korrik shënon dhe nisjen e punës për “Zonat e lira ekonomike”, apo siç tashmë quhen me ligjin e ri “Zona të teknologjisë së zhvillimit ekonomik”. Për investitorët që do të kenë mundësi të jenë pjesë e këtyre zonave janë parashikuar një sërë lehtësish fiskale.

Kështu ligji i ri parashikon përjashtimin për 5 vitet e para nga pagesa e 50 për qindëshit të normës së tatimfitimit ndërsa 20 për qind e shpenzimeve do t’i njihen si shpenzime të zbritshme.

Po ashtu, ndryshimet ligjore parashikojnë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vite dhe taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.

Nga ana tjetër, shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 për qind të vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit.

Po ashtu, kostot e trajnimit të punonjësve në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura të periudhës tatimore me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike.

Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim njihen gjithashtu si shpenzime të njohura me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike.

Që nga viti 2007, kohë kur u miratua ligji e deri më sot, në Shqipëri numërohen 9 zona të lira ekonomike, por që deri më tani asnjëra nuk ka funksionuar.

Zonat e lira ekonomike janë territore që mund të shfrytëzohen për të investuar dhe për të cilat shteti ofron lehtësira fiskale, ashtu siç ka parashikuar dhe ligji i ri i miratuar para pak kohësh në kuvend.

(Dita)

Gjirofarm SH.A