Koncesionet e reja, Ahmetaj fton biznesin të garojë në 65 projekte

7 Janar 2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj ftoi sipërmarrës vendas e të huaj të paraqesin projekte konkrete për t’u bërë pjesë e partneritetit publik-privat, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

“Janë rreth 65 projekte të sjella nga ministritë e linjës dhe institucionet, me një vlerë totale, në vite, prej 375.6 miliardë lekë, si burime në mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike”, tha ministri.

Gjatë konferencës për shtyp ministri Ahmetaj ka renditur të gjitha projektet sipas fushave përkatëse që do të mirëpresin propozimet e sektorit provat, vendas dhe të huaj.

Në fushën e transporteve janë dy projekte që po përpunohen si kontraktime publik-privat; një është ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit, që besoj se në fund të shkurtit do të jetë në tenderim dhe projekti tjetër është ai i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë. Gjithashtu ka edhe një sërë rrugësh te reja të cilat do të konsiderohen dhe do të hidhen në treg për një kontraktim publik-privat.

Në fushën e bujqësisë është siguria ushqimore, e cila ështe edhe një nga kërkesat e Bashkimit Europian; gjithashtu edhe shërbimi veterinar.

Në fushën e shëndetësisë është kontrolli bazë mjekësor, shërbimi i dializës ku faza e parë është në Korçë, Vlorë, Shkodër. Gjithashtu është edhe administrimi mundësisht i një spitali rajonal dhe administrimi i mbetjeve spitalore.

Në fushën e mjedisit është grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve të institucioneve qendrore dhe vartësisë së tyre, mbetjet elektronike, mbetjet elektrike, mbetjet nga ambalazhet, vajrat e përdorur, mbetjet organike, mbetjet nga makinat në fund të jetës, gomat e përdorura, bateritë apo e gjithë gama e mbetjeve që dëmtojnë ambientin dhe shëndetin publik. Gjithashtu edhe ripyllëzimi i zonave të mbrojtura.

Në fushën e mirëqenies sociale janë projekte për investimet në shtëpitë e të moshuarve, të fëmijëve, qendrat e zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar, strehët për gratë viktima të dhunës në familje, etj, si dhe projekte për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe profileve të reja të studimit në Qendrat e Formimit Profesional.

Gjithashtu, ka projekte në zonat turistike për nxitjen e turizmit.

Në fushën e financës apo të mbledhjes së tatimeve janë e-taxation (taksimin elektronik). Një nga projektet më interesante që po studiohet nga Ministria e Financave sot është tatimi mbi pasurinë, një marrëdhënie e re, një koncesionim i mbledhjes por edhe i dokumentimit të pronës, gjë që do të bëjë jo vetëm evidentimin e saktë të pronave, por edhe një rritje të të ardhurave, nga tatimi mbi pronën.

Gjirofarm SH.A