Komisioni i Ekonomisë diskuton Akcizën e Duhanit

13 Tetor 2014 – Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua sot në lidhje me projektligjin për akcizat, ku ishte e pranishme edhe zevendes ministrja e Shëndetësisë Milva Ikonomi. Deputeti Ervin Koçi propozoi që akciza e cigareve të mos jetë fikse, por në bazë të vlerës së duhanit. Sipas Koçit, akciza fikse favorizon kompanitë e mëdha.

Ndërkohë zëvendës ministrja Ikonomi deklaroi se akciza e re do të hyjë në fuqi nga 1 Janari 2015. “Akciza e cigareve do të rritet nga 90 në 110 lekë për paketë”- deklaroi zëvendes ministrja.

Sipas projektligjit të ri të qeverisë, nga data 1 Janar 2015, akciza për duhanin do të bëhet 5500 lekë për 1000 copë, nga 4500 lekë për 1000 copë që parashikonte ligji aktual. Kjo do të thotë se në një paketë që përmban 20 cigare, çmimi i saj do të jetë 20 lekë më shtrenjtë.

Më pas, akciza e duhanit do të pësojë sërish rritje në 1 Janar të 2016-ës. Sipas projektligjit, nga kjo datë akciza për 1000 copë cigare do të shkojë në 6000 lekë, ose 6 lekë për një copë cigare. Rritje parashikohet edhe nga 1 Janari i vitit 2017, ku akciza për 1000 copë cigare do të shkojë në 6500 lekë.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A