Klima e zhvillimit të biznesit, BB: Shqipëria përmirësim 6.3 pikë

29 Tetor 2014 – Banka Botërore ka publikuar raportin mbi lehtësinë e të bërit biznes, “Doing Business”, ku theksohet se në Shqipëri klima e zhvillimit të biznesit është përmirësuar me 6.3 pikë, ndërsa në Kosovë me 1.8 pikë.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në Shqipëri janë përmirësuar kushtet për hapjen e një biznesi të ri, me uljen e tarifave të regjistrimit të biznesit. Po ashtu raporti identifikon përmirësime në sektorin e ndërtimit, ku nënvizon se ka rifilluar nxjerrja e lejeve të ndërtimit si dhe janë konsoliduar në një dokument të vetëm lejet për truallin dhe për ndërtimin.

Gjithashtu gjatë vitit të kaluar raporti vëren përparim edhe në transferimin e pasurisë, me vendosjen e afateve kohore dhe dixhitalizimin e dokumentacionit për pasuritë e patundshme.

Ndër të tjera BB shtron për Shqipërinë problemin e rritjes së kostos së operimit për kompanitë, të cilave sipas raportit u është rritur norma e taksimit mbi të ardhurat e biznesit.

Në vlerësimin për Kosovën, raporti vëren përmirësime në nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, thjeshtësimin e procesit të zbatimit të kontratave. Ndër vërejtjet përmendet ndërlikimi i procesit të transferimit të pasurisë si rezultat i rritjes së tarifës për regjistrimin e transaksioneve për regjistrim.

Raporti vjetor, mbi praktikat më të mira për klimën e biznesit, arrin në përfundimin se gjatë vitit të kaluar, qeveritë në shkallë globale vazhduan të venë në zbatim reforma të gjera për të përmirësuar sistemin rregullator në ndihmë të klimës për biznes. Po ashtu theksohet se ekonomitë që arrijnë përmirësim si në procedurat rregullatore, ashtu edhe në forcimin e institucioneve që mbështesin tregtinë, biznesin dhe sipërmarrjen e hapur, mundësojnë rritje dhe zhvillim më të fuqishëm.

(Shqiptarja.com)

Gjirofarm SH.A