KE: Shqipëria në progres por borxhi publik ende i lartë

8 Tetor 2014 – Progres Raporti i Komisionit Europian thekson se Shqipëria njeh njëfarë progresi në përpjekjet drejt një ekonomie tregu funksionale, por borxhi publik mbetet ende i lartë. Në pjesën ekonomike të Raportit thuhet se vendi duhet të jetë i aftë të përballojë trysnitë konkurruese dhe forcat e tregut brenda Unionit në periudhën afatmesme, nëse i përshpejton reformat strukturore. Në të vlerësohet ruajtja e stabilitetit makroekonomik,vazhdimi i shlyerjes së borxheve të prapambetura dhe përmirësimi i mbledhjes e administrimit të taksave. Por, më tej, raporti thotë se rritja ekonomike u ngadalësua dhe deficiti i llogarisë korente mbetet i madh, çfarë pasqyron konkurrencë të dobët.

“Deficiti buxhetor tejkaloi objektivin në 2013 dhe niveli i lartë i borxhit publik u rrit më tej duke kufizuar hapësirën fiskale për të manovruar. Inflacioni mbeti i ulët, çfarë lejoi vijimin e lehtësimit monetar, por kjo nuk çoi në rritje të kredisë për shkak të nivelit të lartë të huave të këqija në bankat tregtare. Papunësia është e lartë dhe ekonomia informale mbetet e gjithëpërhapur”, thuhet në raport.

Vendit i nevojitet konsolidim fiskal për të ulur borxhin publik, e në të njëjtën kohë të krijojë hapësira për shpenzimet që mbështesin zhvillimin.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes me kompaninë CEZ i hapi rrugën reformës në sektorin e energjisë dhe sipas Komisionit, vendi duhet të rrisë përpjekjet në këtë fushë, përfshirë në shumëllojshmërinë e burimeve energjetike dhe funksionimin e tregut të elektricitetit, që konsiderohet jetik për zhvillimin ekonomik.

“Sektori i energjisë duhet të reformohet dhe duhen zbatuar më tej reformat për administrimin e taksave dhe për pensionet, në mënyrë që të ulet rreziku që paraqitet për financat publike.Pengesat ndaj zhvillimit të sektorit privat duhen hequr, duke përmirësuar klimën ndaj biznesit që karakterizohet nga deficensat në sundimin e ligjit, mungesat në kuadrin rregullator dhe paqartësitë mbi zotërimin e pronësisë”, thuhet më tej.

Në fund vlerësohet se Shqipëria ka forcuar aftësinë e saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit. MSA ka vijuar të zbatohet pa pengesa, sikundër dhe përshtatja, në disa fusha, e legjislacionit vendas me atë të BE-së, por në këtë drejtim, kërkohen përpjekje thelbësore.

Sipas KE, duhen trajtuar të metat në disa fusha, si transportet, mjedisi, siguria ushqimore,mbrojtjen e shëndetit dhe të konsumatorëve. Vendit i kërkohet që të forcojë kapacitetet administrative dhe profesionale në organet e ngarkuara për zbatimin e praktikës europiane dhe të ruajë pavarësinë e tyre. Dokumenti thekson se mbetet thelbësore transparenca dhe llogaridhënia për prokurimet publike dhe menaxhimin e financave publike.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A