KE: “Parashikimi pranveror”, të dhëna inkurajuese për Shqipërinë

6 Maj 2015 – Komisioni Europian ka publikuar dje parashikimin e fundit pranveror për zhvillimet ekonomike në Bashkimin Europian dhe në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Sipas këtij raporti duket se pranvera erdhi dhe për ekonominë europiane, por lulëzimi nuk është i njëjtë për të gjitha shtetet anëtare të Unionit.

Komisioneri përgjegjës, Moscovici shprehu se të gjitha shtetet e BE-së, me përjashtim të Qipros, pritet të kenë rritje ekonomike këtë vit.

Të dhënat janë inkurajuese edhe për Shqipërinë.  Komisioni Europian parashikon një rritje ekonomike 3% këtë vit për Shqipërinë, ndërsa vitin e ardhshëm 3,6%. Punësimi do të rritet me 1,3% këtë vit dhe 2,9%  në vitin 2016. Defiçiti do të jetë këtë vit 4%, por pritet të ulet në 2,8% vitin tjetër, ndërkohë që kufiri i lejuar i defiçitit në BE është 3%. Simbolikisht, pritet të bjerë edhe borxhi publik këtë vit në 72,5% të GDP-së (nga 72,7% vitin e kaluar), ndërsa vitin e ardhshëm pritet të zvogëlohet më tej në 70,5%. Papunësia këtë vit vlerësohet të jetë 16,8% dhe pritet të ulet në 15,5% në 2016-n.

Komisioni Europian arsyeton se, këto parashikime pozitive për Shqipërinë janë për shkak të rritjes së kërkesave të brendshme. Po ashtu vlerësohet se, vazhdon konsolidimi fiskal dhe është përsëritur gatishmëria e qeverisë për të shlyer detyrimet e prapambetura. Era pozitive për biznesin, sipas dokumentit, është mbështetur nga një qeveri e orientuar në reforma, duke ndihmuar në rritjen e likuiditetit për bizneset private.

Ndërsa rënia e çmimeve të naftës ka pasur ndikim pozitiv në vendet e BE-së, duke ulur çmimin e prodhimit dhe duke rritur konkurrencën, në Shqipëri ndikimi rezulton negativ, sepse ka ngadalësuar ritmin e nxjerrjes së naftës.

Komisioni Europian publikon tre herë në vit parashikimet ekonomike për vendet anëtare dhe ato kandidate. Gjetjet e kësaj pranvere janë ndër më pozitivet, që kur kriza financiare preku BE-në. Por, Komisioni tërheq vëmendjen se, ende ekzistojnë rreziqe për ekonominë europiane, që lidhen veçanërisht me situatën globale, për shkak të brishtësisë politike që mund të jetë e paparashikueshme.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A