KE: Në 2015, ekonomia shqiptare me rritje të vrullshme

6 Shkurt 2015 – Komisioni Europian publikoi parashikimin ekonomik të dimrit, sipas të cilit, për herë të parë që prej vitit 2007, pritet një rritje ekonomike në të gjitha vendet anëtare të zonës Euro dhe të Bashkimit Europian.

Në raportin e publikuar sot Komisioni Europian parashikon gjatë 2015 rritje të vrullshme për ekonominë shqiptare, e cila u rigjallërua në semestrin e tretë të 2014, forcim të bilanceve të përmirësuara fiskale, e zgjerim të mëtejshëm të defiçitit në llogarinë korente për shkak të rritjes së absorbimit të brendshëm.

Fluks investimesh të huaja direkte priten të vijnë në vend falë kalimit të gazsjellësit transadriatik dhe një projekti madhor hidrocentrali.

“Buxheti 2015, i diskutuar me FMN-në në bazë të marrëveshjes që vijon për kredinë e Shqipërisë dhe i miratuar në Nëntor nga Parlamenti, ngre akcizën dhe taksat e karburantit, si dhe tatimin e vjelur nga  të ardhurat e kapitalit. I shoqëruar me vazhdimin e pritshëm të fitimeve efikase në mbledhjen e taksave dhe një ekonomi në rritje, ai pritet të mbështesë rritjen e të ardhurave me rreth 10% në terma nominalë. Kjo duhet të krijojë hapësirë për vazhdimin e pastrimit të borxheve, rritjen modeste në konsumin e qeverisë, si dhe një egzekutim më të mirë të planeve të investimeve publike. Gjithësesi, objektiv kryesor fiskal mbetet ulja e nivelit shumë të lartë të borxhit publik deri nën 60% në afat të mesëm; Rënia është parashikuar të fillojë këtë vit. Rreziqe negative burojnë nga ndikimi i mundshëm fiskal prej vështirësive të sektorit të energjisë elektrike dhe të skemës që paguan kompensim për pronën e shpronësuar gjatë komunizmit”, thuhet në dokument.

Të dhënat e fundit në mënyrë indirekte, sipas Komisionit, konfirmojnë rritjen e konsumit privat në Shqipëri, kjo e nxitur dhe nga ulja e pritur e inflacionit, çfarë rriti fuqinë blerëse. Për këtë, një nga faktorët vlerësohet të jetë “rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës, e cila duket një bekim i përzier për Shqipërinë, pasi ndikon edhe për investimet e sektorit të energjisë, por edhe  për koston e çmimeve të eksporteve shqiptare.”

Parashikimi ekonomik i dimrit analizon se kushtet pozitive tregtare të ndikuara nga çmimi më i ulët i naftës në import sjell kompensim të pjesshëm për faktin se  nafta e papërpunuar është dhe mall eksporti, relativisht i rëndësishëm, për Shqipërinë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A