KE financon 12 milionë euro për shëtitoren e Vlorës

15 Tetor 2014 – Komisioni Europian konfirmon se do të bashkëfinancojë me 12 milionë euro për fazën e parë të projektit për vijën bregdetare të Vlorës.

Zëdhënësi Peter Stano shpjegoi për Top Channel se ‘ky financim është pjesë e programit të qeverisë shqiptare për rrugët rurale, ku Komisioni Europian bashkëfinancon prej disa vitesh segmente të ndryshme të rrugëve të përzgjedhura.”

Sipas tij, Fondi është pjesë e Instrumentit të Para-Anëtarësimit për vitin 2013 dhe ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe përkrah zhvillimin ekonomik.

Faza e parë e projektit ka një kosto prej 15 milionë euro në tërësi dhe përfshin ndërtimin e rrugës dhe shëtitores nga Skela deri në Tunelin e Vlorës. Mësohet se fondi IPA për komponentin e rrugëve do të plotësojë dy projekte të mëdha të financuara nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. 11,3 milionë euro parashikohen për ndërtimin ose rehabilitimin e rrugëve dytësore të përzgjedhura, ndërsa pjesa tjetër prej 700 mijë euro do të mbulojë shërbimet e mbikëqyrjes.

Programi IPA 2013 për Shqipërinë përfshin 22 milionë euro gjithsej në këtë projekt, ku 12 milionë euro parashikohen për përmirësimin e rrugëve, ndërsa 10 milionë euro pritet të investohen në sistemet e furnizimit me ujë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A