ISSH: Skema e Sigurimeve u përmirësua me 100 mln USD

21 Mars 2015 – Gjatë vitit 2014, skema e sigurimeve shoqërore u përmirësua me afro 100 milionë dollarë. Gjatë prezantimit dhe analizës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2014, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj sqaroi se ky rezultat erdhi falë pagesave të detyrimeve te prapambetura dhe reforma e re e pensioneve.

“Kostoja e buxhetit të shtetit për të subvencionuar pensionet ka qenë 450 milionë dollarë, ndërsa falë reformës kemi patur një rritje të të ardhurave nga sigurimet me afro 100 milionë dollar. Çka do të thotë, më pak subvencion nga shteti dhe më shumë para për shkolla, për kopshte dhe rrugë”, tha ministri Veliaj.

Sipas raportit, deri në fund të vitit 2014 në rregjistrat e ISSH-së u numëruan 93.392 persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.

Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, e vuri theksin te rezultatet konkrete në fushën e kontributeve për vitin 2014. “Si rezultat i miratimit të ligjit për faljen e kamtvonesave dhe gjobave për kontributet e papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë punonjësit e sigurimeve u arrit të mblidheshin 5,917.9 milione lekë më shumë se planifikimi ose 318.7 përqind. Kjo arritje nuk vlen vetëm për sasinë e parave të futura në fondin e sigurimeve shoqërore, por edhe për rritjen e numrit të qytetarëve me mbrojtje shoqërore dhe pension të garantuar në vitet e pleqërisë. Edhe nga organet tatimore plani i të ardhurave u realizua në masën 101.3 %, me një tejkalim prej 673 milionë lekë. Ky realizim të ardhurash, bashkë me efektet e reformës së re, ul defiçitin e skemës dhe rrit qëndrueshmërinë e saj që këtë vit”, deklaroi ajo.

Gjithashtu heqjen e tavanit të pensionit deri në 240 mijë lekë, ministri Veliaj e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha të reformës në pensione. Si një tjetër rezultat pozitiv u cilësua edhe reforma për uljen e moshës së pensioneve për minatorët dhe rritjen e moshës për funksionarët e lartë.

Ndersa sfidë për vitin 2015, ministri Veliaj renditi vijimin e punës me fshatin, në mënyrë që të vetëpunësuarit atje të vijojnë derdhjen e kontributeve, mbledhja e kontributeve të prapambetura nga kompanitë dhe bizneset private, dixhitalizimi i sistemit të sigurimeve dhe pajisjen e agjencive me mjete që bëjnë të mundur kontrollin online të gjendjes së llogarisë online për çdo qytetar.

Gjirofarm SH.A