Investohen 5.9 mln USD për rikonstruktimin e Kavajës

12 Nëntor 2014 – Në qytetin e Kavajës, janë duke u zhvilluar tre projekte të financuara nga Fondi i Zhvillimit Rajonal. Fondi prej 5.9 mln USD është vënë në dispozicion për rikonstruktimin e sheshit të xhamisë Kubelike, rikonstruktimin e rrugës së daljes dhe rikonstruktimin e rrugës hyrëse në qytet, e quajtur nga vendasit si rruga e Tironsave.

Njoftimi u bë i ditur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, gjatë inspektimit të punimeve nga Ministrja Eglantina Gjermeni. “Projektet e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve të mbështetura nga Qeveria, nuk synojnë vetëm rivitalizmim e qendrave urbane të qytetit, por edhe kthimin e tyre në qendra turistike. Çdo qytet ka veçantinë e tij dhe Kavaja me historinë, kulturën, bujarinë dhe zbatimin e këtyre projekteve është gati t’i mirëpresë turistët”, tha Gjermeni.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi foli vuri theksin theksin veçanërisht tek rikonstruksioni i rrugës dalëse të qytetit dhe rëndësia e saj për zhvillimin e biznesit. “Kjo rrugë, që ka një gjatësi prej 2.5 km, në të cilën janë përqendruar një pjesë e madhe e bizneseve të Kavajës, do të jetë ndryshe nga të tjerat. Aty do të ketë edhe një korsi për biçikletat, trotuare, gjelbërim dhe ndriçim” tha Roshi.

Projekti i parë i financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve përfshin rikonstruksionin e sheshit para xhamisë Kubelike, shtrimin e tij me pllaka guri, rehabilitim të 11 mijë m2 të qendrës së qytetit dhe 3 mijë e 200 m2 parku. Faza e parë e këtij projekti me vlerë 200.465.185 lekë pritet të përfundojë në fund të muajit Janar.

Projekti i dytë, parashikon rehabilitim dhe rikonstruksion të plotë të rrugës dalëse të qytetit. Vlera e këtij investimi është 200. 000.000 lekë dhe projekti pritet të përfundojë në fund të vitit.

Projekti i tretë, i miratuar së fundmi nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë 192.000.000 lekë, përfshin rikonstruksionin e rrugës së Tironsave, kthimin e saj në identitet përmes ndërtimeve të dyqaneve që do t’i kthejnë qytetit traditën e dikurshme të tregtimit të produkteve artizanale dhe suvenirëve. Punimet për këtë projekt pritet të fillojnë brenda muajit dhjetor.

Rehabilitimi i gjithë zonës së qendrës përfshin një sipërfaqe prej 14,200 m2 dhe do t’u shërbejë 35,000 banorëve.

Gjirofarm SH.A