Investimet kineze, ja projektet që do të ofrojë Shqipëria

17 Dhjetor 2014 – Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj shpjegon me detaje se çfarë synon Shqipëria në paketën financiare prej 10 miliardë dollarësh që qeveria kineze synon të investojë në Ballkan.

Ahmetaj thotë se projektet nuk do kërkojnë garanci kombëtare, por do jenë në një formë të re inovative.

“Shuma prej 10 miliardë dollarë është kredi e butë me interesa shumë të ulëta. Shqipëria zë një vend të veçantë në paketë, për vende të ndryshme nuk është se ka limite pasi paketa është zgjeruar edhe me 30 miliardë dollarë të tjerë. E theksoj që brenda kësaj shume nuk ka limite. Sa më shumë projekte arrijmë të ofrojmë, aq më shumë financime mund të tërheqim. E rëndësishme është që Shqipërisë nuk i është kërkuar që të afrojë garanci sovrane për fondet që do të arrijë të tërheqë. Përkundrazi, do të ketë instrumentë inovativë në mënyrë që të tërheqim sa më shumë financime projektesh. Një nga instrumentet do të jetë pjesëmarrja publike-private midis kompanive kineze me shtetin shqiptar. Një nga projektet me më shumë mundësi që të jetë në këtë instrument është Rruga e Arbrit, Parku Industrial i Spitallës dhe më tej edhe autostrada Adriatiko-Joniane”, shpjegoi Ahmetaj.

Projektet që Shqipëria do kërkojë për financim nga paketa e investimeve kineze përfshijnë kryesisht infrastrukturën, projekte që sipas Ahmetajt do tërheqin më pas të tjera interesa edhe të kompanive private për investime në Shqipëri.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A