Investimet e huaja, Ahmetaj: Fund procedurave burokratike

25 Shtator 2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj nisi një vizitë dy ditore në Malin e Zi, ku mori pjesë në Konferencën “Ekonomia-Baza për Bashkëpunimin Rajonal në Ballkanin Perëndimor”.

Në tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë dhe përfaqësuesve te bizneseve, moderatori Eckhard Cordes, kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore, u shpreh se ky takim është në kuadër të Konferencës së Berlinit dhe qëllimi është të thellohen lidhjet dhe diskutimet e iniciuara më 28 gusht, si dhe të adresohen pengesat që mund të ekzistojnë për momentin.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj u shpreh se ky është një hap shumë i mirë pas Konferencës së Berlinit, vetëm një muaj pas saj. Dëshiroj të ndalem tek klima e biznesit, – tha ai, dhe çfarë ne po bëjmë për të lehtësuar dhe përmirësuar klimën e biznesit, kuadrin rregullator dhe procedurat. Dhe së dyti, dua të përmend një nga instrumentet që aktualisht nuk e kemi të gjithë si vende të rajonit dhe që është ‘follow up’.

Ministri Ahmetaj tha se, përsa i përket klimës së biznesit Shqipëria po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim dhe të gjithë e dinë se pa investime nuk mund të ketë sukses. “Ne duhet të heqim procedurat burokratike që janë pengesë për investimet e huaja direkte. Ne jemi duke bërë një punë të mirë në këtë drejtim por, sërish, ekonomitë tona po përforcojnë nën potencialin e tyre real. Dhe të performosh nën potencial do të thotë që ka ende oportunitete dhe hapësira të pashfrytëzuara të cilat duhet t’i kapim”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

Në vijim, Ministri i Zhvillimit Ekonomik theksoi se bizneset në rajon nuk janë shumë të ndërlidhur mes tyre ndaj është e rëndësishme që takimet b2b, g2g dhe g2b të jenë më intensive në kuadër të bashkëpunimit rajonal. “Kuadri i diskutimeve të Berlinit”, u shpreh Ahmetaj, “duhet të kthehet në një guidë mbi të cilën të bazojmë vendimmarrjen tonë, nismat tona dhe sigurisht follow up”.

Ministri Arben Ahmetaj propozoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes vendeve te rajonit, i cili do të punojë për të materializuar diskutimet e iniciuara në Berlin në një platformë konkrete bashkëpunimi të përkthyer në projekte konkrete dhe reforma të përbashkëta. Ministri propozoi që brenda dy muajve të ardhshëm të punohet për ngritjen e grupit, i cili do të dalë me një dokument të përbashkët dhe konkret, të cilin kryeministrat e secilit vend do ta prezantojnë në Berlin.

Duke folur për ekonominë shqiptare, Ministri tha se ajo ka shënuar rritje dhe se programet me FMN dhe BB po funksionojnë shumë mirë. “Shumë shpejt ne do të lançojmë reformën në Doing Business, e cila konsiston në përmirësimin e 7 nga 11 indikatorëve të raportit, por mbi të gjitha do jetë shumë i prekshëm për bizneset në kuadër të lehtësimit të kushteve të të bërit biznes ne vend, tha Ministri. Gjithashtu, kreu i ministrisë së Zhvillimit Ekonomik përmendi rishikimin e ligjit të investimeve strategjike apo të koncesioneve, për t’i kthyer ato në eficente për ekonominë.

Ne duhet të rrisim shpejtësinë e reformave tona, – u shpreh Ministri, për t’iu përgjigjur ritmit të interesit të investitorëve të huaj. Konferenca e Ekonomisë në Malin e Zi vijon me panelin e Ministrave të Ekonomisë dhe mbyllet me darkën zyrtare, ku do të diskutohet mbi hapat e ardhshëm që do të ndiqen, në kuadër të propozimit të Ministrit Ahmetaj. Ky aktivitet organizohet pas Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Berlin në datën 28 gusht, ku Kryeministrat, Ministrat e Ekonomisë dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në projekte konkrete rajonale.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A