INSTAT: Ekonomia me rënie në tremujorin e dytë

7 Tetor 2014 – Pas dy tremujorësh me rritje ekonomia ka rrëshqitur sërish ne territor negativ.  Instituti i Statistikave njoftoi se për tremujorin e dytë të vitit, Prodhimi Kombëtar ra me 0.61 për qind kundrejt vitit të kaluar dhe shkaku kryesor ka qenë sektori i ndërtimit. Më pas vijon sektori i transportit, i ndjekur nga sektori i industrise.

Degët e tjera, si shërbimet bujqësia dhe tregtia patën rritje pozitive, por kjo nuk ka mjaftuar për të kompensuar rënien e fortë në sektorin e transporteve dhe veçanërisht atë të ndërtimit, që reflekton shpenzimet e larta të Qeverisë vitin e kaluar dhe rënien e tyre këtë vit.

Sipas INSTAT shifra negative e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë është e lidhur me bazën e lartë të krahasimit, pasi vitin e kaluar tremujori i dytë pati një rritje të pazakontë të diktuar nga shpenzimet e larta të Qeverisë në prag të zgjedhjeve.

“Eshtë tremujori më i lartë, pra i dyti i vitit 2013, i përformancës ekonomike si tremujor, që nga tremujori i parë i vitit 2009. Ky tremujor i dytë i 2014, i duhet të krahasohet me majën e tremujorit të dytë të vitit 2013. Për rrjedhojë, ritmika vjetore, merr me vete krahasimin me një ecuri të pazakontë të lartë në të shkuarën, prandaj është në tërësinë e vet me rënie ndaj të njëjtit vit më parë, ekonomia”, theksoi Drejtori I INSTAT Gjergj Filipi.

Por, edhe pse krahasuar me një vit më parë, shifrat e tremujorit të dytë ishin negative, INSTAT  thotë se ekonomia po ringrihet.”Lajmi i mirë është që ka rritje ekonomia ndaj tremujorëve. Ekonomia shqiptare po stabilizohet, me ritme modeste rritjeje por po stabilizohet”, tha Filipi.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A