INSTAT: Ekonomia e vendit u rrit me 2.82 për qind

10 Korrik – Instituti i Statistikave deklaroi se ekonomia u rrit me 2.82 për tremujorin e parë krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT kjo është rritja më e lartë që ekononomia shënon në tremujorin e parë, që nga viti 2011.

“Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit ka shënuar një rritje prej 1.85 për qind, grupi i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rritje prej 7.64 për qind. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2015, pati një rritje prej 2.84 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014. Grupi i degëve tregti, hotele, restorante dhe transport shënoi një rritje prej 1.18 për qind”, deklaroi kreu i INSTAT, Gjergji Filipi.

Edhe pse konsumi i familjeve ka rënë krahasuar me vjet, INSTAT thotë se ekonomia është zgjeruar për shkak të rritjes së fortë të investimeve private. Ndërsa qeveria ka patur kontribut neutral në Prodhimin Kombëtar.

“Konsumi final i popullatës, që përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e parë të vitit 2015, ka shënuar një ulje me 1.22 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014. Konsumi final i qeverisë, në tremujorin e parë të 2015, ulet me 0.01 për qind. Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks, u rrit me 14.09 për qind krahasuar me tremujorin e parë të një viti më parë. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 1.49 për qind”, thotë INSTAT.

Rritja me 2.82 për qind në tremujorin e parë rezulton një suprizë, kur FMN dhe Ministria e Financave pak ditë më parë patën deklaruar se ekonomia ka ecur me ritme të ngadalta nga sa pritej në gjysmën e parë të vitit. Për këtë shkak qeveria e korrektoi në ulje shifrën e rritjes së pritshme të ekonomisë në 2015 nga 3 në 2.7 për qind. Por Banka e Shqipërisë paralajmëroi se shifra mund të korrektohet sërish nëse kriza greke do të përshkallëzohet.

INSTAT e ka ndryshuar metodologjinë mbi të cilën e llogarit rritjen ekonomike, duke kaluar nga vlera e shtuar, që publikonte deri më tani në Prodhim Final Kombëtar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A