INSTAT: Bie rritja e eksporteve për vitin 2014

30 Janar 2015 – Eksportet shënuan vitin e kaluar rritjen më të ulët që nga 2010-a, për shkak të ngadalësimit të fortë në grupin e energjisë dhe mineraleve. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 2014-ën kompanitë shqiptare eksportuan jashtë 255.6 miliardë lekë mallra me një rritje prej 3.7 për qind krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave, në 4 vitet e mëparshme rritja e eksporteve në vlera ka variuar nga 8.1 në 54 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i eksporteve, lidhet me situatën e vështirë të Eurozonës që ka ulur kërkesën nga jashtë, por edhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Rënia dramatike e çmimit të naftës dhe mineraleve në bursa, të cilat përbëjnë zërin kryesor të produkteve që Shqipëria shet jashtë, ka ulur eksportet e tyre me 13.6 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Ky është një efekt i konsiderueshëm që është mundur të kompesuar vetëm nga ecuria e fortë pozitive në industrinë e fasonit, eksportet e të cilave u rritën më 16.6 miliardë lekë.

Në krahun tjetër të tregtisë, atë të importeve bilanci ka qenë më pozitiv. Të dhënat tregojnë se krahasuar me 2013-ën importet në total u rritën me 6.6 për qind duke sinjalizuar një rigjallërim në kërkesën e brendshme për konsum.

Megjithatë Banka e Shqipërisë parlajmëron se ecuria e tregtisë së jashtme mbetet një pikëpyetje edhe për këtë vit. Nëse eksportet do të vijojnë të mbajnë një ritëm të ulët rritje, atëherë rritja ekonomike do të duhet të mbështetet tërësisht nga konsumi i brendshëm.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A