Inflacioni shkëputet nga zero, arrin në 0.7 për qind

9 Qershor 2016 – Pasi qëndroi për 3 muaj me radhë afër zeros, inflacioni u përshpejtua në 0.7 për qind gjatë muajit maj. Instituti i Statistikave raportoi se, rikthimi i inflacionit në trend rritës u ndikua nga çmimet e ushqimeve dhe ato të shërbimit arsimor, të cilat u rritën respektivisht me 2.2 për qind dhe 4.8 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve është vërejtur në grupin e transportit me 4.7 për qind, pasuar nga kostot shëndetësore, të cilat kanë rënë me 2.8 për qind krahasuar me vjet.

Pavarësisht përshpejtimit të vërejtur në maj, inflacioni mbetet sërish i ulët dhe larg objektivit ligjor. Banka e Shqipërisë ka si detyrim ligjor, që inflacioni të jetë në intervalin 2 deri në 4 për qind, pasi sipas saj ky është niveli më i përshtashëm për të nxitur rritjen ekonomike dhe investimet e biznesit.

Por që nga fillimi i vitit, inflacioni ka qenë vazhdimisht në nivele afër zeros për shkak të rënies së fortë të çmimit të naftës dhe atyre të ushqimeve. Kjo situatë alarmoi Bankën e Shqipërisë, e cila ka ndërhyrë duke ulur 3 herë brenda një kohe të shkurtër normën bazë të interesit, për të inkuruajuar konsumin dhe investimet.

Ekspertët e bankës druhen se, nëse inflacioni do të qëndrojë për një kohë të gjatë në nivele të ulëta, ai do të dekurajojë investimet e reja të biznesit, si dhe do të penalizojë konsumin, pasi konsumatorët shtyjnë blerjet duke menduar se rënia e çmimeve do të vazhdojë.

Ndaj përshpejtimi i inflacionit nga 0.3 për qind, që ishte në prill, në 0.7 për qind në maj duket se është një zhvillim i mirëpritur për Bankën e Shqipërisë, pasi e largon ekonominë nga kurthi i deflacionit, edhe pse rritja e çmimeve mbetet ende e dobët.
(Top Channel)

Gjirofarm SH.A