Inflacioni në Dhjetor zbret në 0.7%, më e ulta në 2 vjet

10 Janar 2015 – Shqipëria duket se po përballet me një situatë të ngjashme çmimesh si ajo e eurozonës. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në Dhjetor inflacioni zbriti në 0.7 për qind, duke shënuar nivelin më të ulët në më shumë se dy vjet.

Një muaj më parë, pra në Nëntor, norma e inflacionit ishte 1.7 për qind dhe rënia e shpejtë e treguesit duket se ka qenë e papritur edhe për vetë Bankën e Shqipërisë, institucionin që përgjigjet për stabilitetin e çmimeve në vend.

Nga Shkurti i vitit të kaluar, inflacioni ka qenë gjithmonë nën objektivin ligjor prej dy përqind të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar dobësinë e ekonomisë dhe kërkesës për mallra në treg. Burime nga Banka thanë për Top Channel se pritshmëritë e tyre ishin që treguesi të rritej në dhjetor, por kjo nuk është vërtetuar.

Edhe pse e mohojnë rrezikun, që Shqipëria të rrëshqasë në deflacion ashtu si eurozona, ekspertët e Bankës thonë se rënia e papritur e inflacionit mund të jetë një sinjal jopozitiv për ekonominë. Kjo, edhe për një arsye tjetër, që lidhet me shkaqet e kësaj rënieje.

Përtej çmimit të karburanteve, ndikimin më të madh në uljen e inflacionit e dhanë çmimet e artikujve ushqimorë. Më konkretisht, çmimet e ushqimeve në Dhjetor ishin vetëm 0.4 për qind më të larta se një vit më parë. Ky është një trend i pazakontë për fundin e vitit, ku ushqimet tentojnë të shtrenjtohen, për shkak edhe të kërkesës më të lartë që shoqëron periudhën e festave.

Pikërisht shmangia nga sezonaliteti i përvitshëm, duket se është edhe shqetësimi kryesor i Bankës së Shqipërisë.

Por, a është ngadalësimi i beftë i rritjes së çmimeve, një tregues se ekonomia mund të përballet me një tjetër goditje të kërkesës për konsum? Ekspertët e Bankës thonë se është ende shpejt për të gjykuar. I sigurt duket fakti se, ky është një trend çmimesh, të cilin Banka – por jo vetëm ajo – do të kishte dashur ta evitonte, pasi me gjasa mund t’i imponojë të tjera lëvizje në politikën monetare.

Dhe ky tashmë po shndërrohet në një film, sekuencat e të cilit përsëriten pa mbarim.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A