Inagurohet linja energjetike 110 kV në segmentin Ersekë-Përmet

15 Tetor 2014 – Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga zv.ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Tiranë  Anke Holstein, përfaqësuesi i bankës gjermane KfW Christoph Tiskens dhe administratori i OST Engjëll Zeqo morën pjesë në inaugurimin e ndërtimit të linjës 110 kV në segmentin Ersekë-Përmet.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, projekti financohet nga një kredi e Qeverisë Gjermane nëpërmjet bankës KfW. Linja e ndërtuar Ersekë-Përmet është pjesë e projektit të zhvillimit të rrjetit 110 kV të Jugut të Shqipërisë. Segmenti Ersekë-Përmet i cili tanimë ka përfunduar në kohë rekord dhe vendosur në funksion ka një gjatësi prej 55.7 kilometër. Linja bën pjesë në LOT-in e dytë të projektit që njihet si Unaza e Jugut që përfshin gjithashtu ndërtimin e segmenteve Babicë-Sarandë, Zemblak-Korçë dhe rehabilitim të linjave Korçë-Ersekë, Memaliaj-Këlcyrë-Permet dhe punime në nënstacionet respektive. LOT-i i parë i këtij projekti parashikon fuqizimin e nënstacionit 400/110 kV Zemblak me vlerë 4.5 milionë euro.

Ministri Gjiknuri e konsideroi ndërtimin e linjës Ersekë-Përmet me shumë rëndësi për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të gjithë zonës së jugut. Sipas tij, ky investim por edhe shumë të tjera që do të kryhen në vitet e ardhshme do të krijojnë infrastrukturën elektrike të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në zonën e bregut të detit Jon.

Zv.Presidenti i parë i bankës gjermane, Z. Christoph Tiskens theksoi se KfW do të vazhdojë të mbështesë projektet zhvillimore të sistemit elekroenergjitik, me qëllim modernizimin e sistemit, si pjesë e rrjetit energjitik të Europës Juglindore.

Gjirofarm SH.A