5 Janar 2015 – Nga data 1 Janar kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të pajisjeve me dokumenta biometrike në Shqipëri. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar këtë gjë në muajin Nëntor të vitit të kaluar duke saktësuar se Letërnjoftimi elektronik në Shqipëri do të kushtojë 1 500 Lekë nga 1 200 Lekë që kushtonte më parë, Pasaporta biometrike do të kushtojë 7 500 Lekë nga 6 000 Lekë dhe Pasaporta me proceduarë të përshpejtuar do të kushtojë 18 000 Lekë nga 15 000 lekë.
Po kështu ka hyrë në fuqi edhe tarifat e reja për aplikim në ambasada dhe konsullata shqiptare, të cilat për Letërnjoftim elektronik do të jenë: Itali dhe Greqi 12 Euro, SHBA 18 USD, Belgjikë 16 Euro, Mbretëria e Bashkuar 13 Paund, Zvicër 18 CHF
Për Pasaportë biometrike, tarifat do të jenë: Itali dhe Greqi 130 Euro, SHBA 240 USD, Belgjikë 170 Euro, Mbretëria e Bashkuar 144 Paund, Zvicër 204 CHF.
PO kështu, prej 1 Janarit janë vënë në shitje kuponat me tarifat e reja, ndersa kuponat e mëparshëm nuk janë të vlefshëm që prej datës 30 Dhjetor 2014.
Vendimi vjen në zbatim të përcaktimeve në kontratën koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, e ratifikuar me ligjin nr. 9972, datë 28.07.2008, ndryshuar, zgjatur, përmirësuar dhe miratuar së fundmi me ligjin nr. 129/2013, date 15.05.2013.