Haxhinasto fton investitorët francez të jenë pjesë e zhvillimeve të transportit

21 Nëntor 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka marrë pjesë në Konferencën “Dita e Shqipërisë”, në Francë, ku ka ftuar investitorët francezë të bëhen pjesë e zhvillimit të transportit në Shqipëri.

Ministri Haxhinasto ishte ftuar nga UBIFRANCE, Agjencia Franceze për Zhvillimin e Aktiviteteve Ndërkombëtare të Investimeve të Shoqërive Franceze për të marrë pjesë në konferencën qe synon afrimin e mëtejshëm të biznesit francez në vendin tonë.

Në fjalën e tij Haxhinasto parashtroi kushtet dhe garancitë që ofron Shqipëria për rritjen e prezencës se biznesit francez në ekonominë e vendit. Ministri i Transportit theksoi se ky shkëmbim duhet të intensifikohet, në kushtet e reja të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Duke vijuar me transportin dhe infrastrukturën, Ministri Haxhinasto u shpreh se progresi ka filluar dhe se po synohet drejt unifikimit të standardeve dhe cilësisë në veprat infrastrukturore. Ai paraqiti planet e zhvillimit të rrjeteve të transportit dhe të shërbimeve të tij dhe ftoi kompanitë franceze për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve.

Haxhinasto përmendi zhvillimet në infrastrukturën rrugore, projektet e rritjes së sigurisë e cilësive të rrugëve, konçesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe të tjera.

Për sektorin hekurudhor, ai paraqiti ftesën për të marrë pjesë në ndërtimin e lidhjes hekurudhore Tiranë – Rinas – Durrës, si dhe rikonstruksionin e lidhjeve ndërkombëtare Durrës – Maqedoni dhe Durrës – Mail i Zi. Më tej, ai foli për mundësitë që ofrohen në sektorin detar dhe atë ajror.

Ai përshëndeti vendosjen e linjës direkte Tiranë – Paris dhe tha se kjo do të jetë edhe një mundësi më shumë për investitorët francezë për të qenë prezent në Shqipëri.

Gjirofarm SH.A