Harta e bujqësisë, ja çfarë duhet të mbjellin fermerët sipas zonave

22 Nëntor 2014 – Në kushtet kur fermerët në tokat e tyre përpiqen të mbjellin gjithçka, por nuk organizohen dot për të garantuar prodhime në sasi të bollshme, Qeveria ka ndërtuar për herë të parë një hartë rajonalizimi, ku sygjeron fermerët për kulturat që duhet të mbjellin dhe garanton mbështetjen përmes subvencionit, si mënyrë për t`u organizuar dhe garantuar produkte në sasi dhe cilësi për të plotësuar kërkesat e importuesve.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se sipërfaqe të gjerë në këtë hartë kanë perimet, të cilat përbëjnë edhe një zë të rëndësishëm në eksportin e prodhimeve bujqësore në vend.

“Përsa i përket bimëve të arave, natyrisht pika më e fortë për momentin, për bujqësinë shqiptare janë perimet, ku në këtë 9-mujor ne kemi vënë re, një rritje të ndjeshme të eksportit, gjë që është shumë inkurajuese dhe tregon që ne për perimet kemi avantazhe konkurruese dhe krahasuese. Harta e tyre është e gjerë, por pikat tona më të forta janë qarku i Fierit, së bashku me Lushnjën, Berati, Tirana, Durrësi dhe Shkodra”, tha Panariti.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo hartë do të ndihmojë në tejkalimin e një prej problemeve më të mëdha të bujqësisë shqiptare që është fragmentimi i parcelave.

“Nëse në një territor të caktuar, Qeveria incentivon vetëm mollën, atëherë vetvetiu, në mënyrë të natyrshme fillon edhe një ndryshim i situatës së fragmentimit të tokës, pasi pa patur nevojë të bashkohen në forma legale të komplikuara, njerëzit bashkohen pikërisht tek investimi në të njëjtën kulturë”, tha Rama.

Kryeministri, e cilësoi alarmante pamundësinë e fermerëve shqiptarë për të thithur fondet e Bashkimit Europian, ashtu sikurse paratë e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për bujqësinë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A