Gjiknuri: Shqipëria mundësi për investime në energji, do liberalizohet tregu

21 Nëntor 2014 – Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, pjesmarrës në Konferencën “Dita e Shqipërisë” në Paris, organizuar nga UBIFRANCE (Agjencia Franceze për Zhvillimin e Aktiviteteve Ndërkombëtare të Investimeve të Shoqërive Franceze), paraqiti mundësitë që ofron vendi ynë për investime në sektorët e energjisë dhe industrisë si dhe kuadrin e përshtatshëm ligjor, që garantojnë sigurinë e investimeve.

Në Konferencën që kishte si objektiv kryesor afrimin e mëtejshëm të biznesit francez në Shqipëri, Gjiknuri deklaroi se qeveria shqiptare është në diskutime me investitorët e interesuar potenciale për mundësine realizimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjitike.

Mundësitë për investimet në linjat e interkonjeksionit, linja me Kosovën dhe planet për linjën me Maqedoninë, u paraqitën nga ministri i Gjiknuri, që tha se lidhja me vendet fqinje me këto linja zgjeron mundësitë për tregtimin e energjisë së prodhuar nga burimet e reja dhe përbën një shans të mirë ky për investitorët privatë, që duan të angazhohen në këtë fushë, ku shembull është pjesëmarrja e firmës norvegjeze “Statkraft” që po ndërton në Kaskadën e Devollit.

“Lidhje më të mira do të thotë më shumë mundësi për tregti, do të thotë çmime më të qëndrueshme për konsumatorin dhe mundësi për të gjithë investitorët për tregtimin e energjisë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai njohu investitorët francezë me reformën e energjisë që po ndërmerr qeveria shqiptare ku synohet nxjerrja sa më shpejt e sistemit nga problemet financiare dhe liberalizimi i 40% të tregut të energjisë brenda vitit 2018.

Gjiknuri ftoi investitorët francezë që përvec interesimit të tyre për fushën e energjisë, mund të kenë vëmendje edhe ndaj zhvillimeve në industrinë minerare dhe hidrokarburet. Me këtë rast ministri duke u ndalur tek projekti i gazsjellësit TAP, afroi mundësitë për investime të huaja në kuadër të gazifikimit të vendit.

Gjirofarm SH.A