Fushata për kuponin, Ahmetaj: Jo represion ndaj biznesit

01.08.2016 – Në prag të nisjes së fushatës për kuponin tatimor, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, përmes një letre i ka kërkuar administratës tatimore që të shmangë represionin ndaj biznesit dhe të tregohet miqësore me të.

“Objektivi ynë nuk është të vendosim gjoba, por të ndihmojmë tatim-paguesit me durim, modesti dhe profesionalizëm, që të zbatojnë detyrimin ligjor”, thotë ai.

Nga 1 gushti tatimet do të nisin një fushatë të gjerë në terren, që do të ketë në fokus kontrollin e bizneseve për lëshimin e kuponit tatimor.

“Detyra jonë është të jemi këmbëngulës në zbatimin e ligjit, por shumë modest dhe bashkëpunues me biznesin sepse në këtë betejë ne dhe sipërmarrja qëndrojmë në të njëjtin krah”, vijon letra e ministrit.

Pas masave represive vitin e kaluar, që çuan në një acarim të marrëdhënieve mes qeverisë dhe biznesit, Ministria e Financave duket se po përpiqet të ndryshojë kurs.

“Mos harroni, për asnjë moment se, sado gabim që të jetë, sipërmarrja meriton të ndihmohet për shkak të të gjithë risqeve që ka ndërmarrë në vite’, thotë ministri Ahmetaj.

(Top Channel )

Gjirofarm SH.A