Forcimi i lekut godet eksportet

Forcimi i lekut ndaj euros mund të sjellë uljen e çmimeve për konsumatorët, por ai ka dhe një pasojë negative për ekonominë; godet eksportet. Krahasuar me një vit më parë euro është zhvlerësuar me gati 3 përqind ndaj lekut. Për eksportuesit kjo ka pasoja jo të vogla.
“Le të konsiderojmë një biznes eksportues që ka një xhiro vjetore prej 1 milionë euro. 3 përqind më pak do të thotë 30 mijë euro më pak”, thotë eksportuesi Alban Zusi.
Eurozona është tregu më i madh i eksporteve shqiptare me rreth 70 përqind të totalit. Ndaj në rang kombëtar, efektet e forcimit të lekut ndaj euros janë të konsiderueshme.

“Forcimi i lekut në një vlerë prej afro 3 përqind, do të thotë se në 1 miliardë euro kemi 30 milionë euro të munguara, 30 milionë euro të munguara në investime të drejtpërdrejta nga bizneset prodhuese”, shprehet Zusi.

Zusi mendon se autoritetet duhet të ndërhyjnë për të riekulibruar kursin e këmbimit. Por për Ilir Cikon, kjo nuk do të ishte e rekomandueshme.

“Në vendet e tjera që janë në rajon dhe më gjerë, përballen me një zhvlerësim të euros. Pra, çfarëdo mase që do të merrnim në këtë drejtim do të ishte krejtësisht e pavlefshme”, thotë Ciko.

Por edhe pse nuk këshillon ndërmarrjen e politikave kombëtare, Ciko mendon se vetë bizneset mund të kompensojnë një pjesë të efekteve negative nga kursi.

“Nëse gjatë periudhës së verës kemi një përsëritje të një rënie të lehtë të Euros, fare mirë kompanitë mund të ishin të prirura që blerjen e lëndës së parë dhe investimet në makineri dhe mjetet që përdorin, mund t’i përqendrojnë gjatë kësaj periudhe”, shprehet Ciko.

Në gjashtë muajt e parë eksportet totale ranë me 7.6 për qind krahasuar me vjet, për shkak të krizës botërore të naftës dhe mineraleve.

” Top Channel”

Gjirofarm SH.A