FMN korrigjon me ulje rritjen ekonomike në 5 vitet e ardhshme

8 Tetor 2015 – Fondi Monetar Ndërkombëtar korrigjoi me ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme.

Vlerësimi, i bërë publik në raportin e fundit mbi prespektivën e ekonomisë globale, sinjalizon se ekonomia shqiptare po ecën më dobët nga pritshmëritë fillestare, për shkak edhe të një ambienti më të vështirë të jashtëm.

Për vitin aktual, rritja ishte korrigjuar që më parë, nga 3 për qind që ishte vlerësimi i fillimvitit, në 2.7 për qind. Por, teksa kjo lëvizje ishte paralajmëruar, FMN-ja ka ulur parashikimet edhe për rritjen ekonomike të 5 viteve të ardhshme.

Më konkretisht, për vitin tjetër, shifra e pritshme e rritjes së prodhimit kombëtar është ulur nga 4 për qind në 3.4 për qind; për të vazhduar deri në vitin 2020, ku tavani maksimal i rritjes është ulur nga 4.5 në 4.2 për qind.

Shifrat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë se, ringritja e ekonomisë do të jetë më e ngadaltë nga sa pritej, me pasoja të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve, por edhe treguesit e tjerë të makroekonomisë.

Devijimi i parë zyrtar, nga programi i shpallur për rimëkëmbjen e ekonomisë u shënua me kuadrin makronomik, që qeveria miratoi në muajin korrik. Në atë dokument, vlerësimi për rritjen e prodhimit kombëtar u reduktua për të 3 vitet e ardhshme.

Madje sipas dokumentit, edhe treguesi i borxhit publik është përkeqësuar dhe do të ulet me ritme më të ngadalta nga sa parashikonte programi fillestar i dakordësuar mes FMN-së dhe qeverisë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A