Fasoni kërkon ulje taksash, propozim me 6 pika qeverisë

6 Qershor 2015 – Bizneset, që punojnë me material porositës, i kërkojnë qeverisë uljen e disa taksave që rrisin koston e prodhimit, duke ulur konkurrueshmërinë e sektorit në rajon.

Përmes një drafti me 6 pika për paketën e re fiskale, që shoqëron buxhetin e 2016-s, përfaqësues të fasonëve kërkojnë heqjen e tatim-fitimit për rastet kur ai shkon për riinvestim në teknologji.

“Tatim-fitimi që tashmë është 15 për qind, nëse do të investohet nga ky sektor në pajisje dhe teknologji, atëherë do të jetë zero. Pikërisht kjo pjesë që tatohet të shkojë në rinovim teknologjie, e cila rrit në një shkallë më të lartë kualitetin e produktit”, tha Arben Peci, president i Dhomës Kombëtare të Veshjeve.

Kërkesë tjetër e biznesit është rimbursimi i TVSH-së korrente dhe asaj të prapambetur brenda afateve ligjore.

TVSH e akumuluar prej vitit 2005 për biznesin fason kap shifrën e 49.3 miliardë lekëve, prej të cilave 43.1 miliardë janë rimbursuar. Ndërsa për vitin 2014-2015, nga 17.4 miliardë lekë, 400 kompani janë rimbursuar në vlerën e 17 miliardë lekëve.

Kërkesa të tjera të biznesit janë heqja e TVSH-së për nënkontraktorët, që sipas fasonëve, mund të shkaktojë falimentimin e ndërmarrjeve nënkontraktore; ulje e taksës për ndërtesat; ndryshimin e taksimit në terminalet doganore, nga taksë fikse në taksë orare; dhe faturimin e konsumit të energjisë elektrike, sipas nivelit të tensionit të furnizuar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A