Energjia, përmirësohen arkëtimet dhe bien humbjet

15 Tetor 2014 – Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Arben Seferi ka bërë publike të dhënat e muajit Shtator sipas të cilave treguesi i humbjeve të energjisë elektrike është përmirësuar.

“Arritëm të ulim nivelin e humbjeve në rrjet deri në 31.7 % për muajin shtator 2014, duke e përmirësuar këtë tregues me 3.4 % krahasuar me shtatorin e 2013-ës’, tha Seferi.

Në përmirësim, sipas zotit Seferi, ka ardhur dhe niveli i arkëtimeve, me një rritje prej rreth 36 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Këtë muaj ka një nivel arkëtimi mbi 4.5 miliardë lekë të reja ose rreth 41 milionë dollarë, që do të thotë kemi rritur me 35.7 % nivelin e arkëtimeve për këtë muaj krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kemi përmirësuar me 20 % nivelin e arkëtimeve që prej Dhjetorit 2013 e deri në Shtator 2014′, u shpreh Seferi.

Me qëllim uljen e humbjeve për shkak të vjedhjes masive të energjisë dhe rritjen e arkëtimeve, zoti Seferi paralajmëron vazhdimin e aksioneve nga punonjësit e OSHEE në terren, për t`i dhënë fund abuzimeve me energjinë.

‘Vetëm gjatë muajit Shtator nga ndërhyrjet e grupeve të punës në terren në të gjithë vendin, janë kryer rreth 75.800 prerje lidhjesh të paligjshme, ndërsa nga Janari deri tani ndërhyrjet arrijnë në rreth 603.000”, theksoi Seferi.

Drejtori i OSHEE thotë se për shkak të këtyre lidhjeve të paligjshme, dëmi shkaktuar financave publike është rreth 60 milionë euro.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A