Emigrantët e rikthyer, vetëm 8 përqind hapën biznes

8 Tetor 2014 – Instituti i Statistikave në Shqipëri ka publikuar të dhënat e studimit mbi “Migracionin e kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri, 2013”, për të cilën ka bashkëpunuar edhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Nga të dhenat e studimit ka rezultuar se në terma investimi vetëm 8 përqind e të kthyerve kanë  arritur të realizojë një projekt investimi në Shqipëri, sidomos në tregtinë me pakicë, hoteleri, restorante dhe bujqësi.

“Për shumicën e investimeve, të kthyerit janë mbështetur kryesisht në kursimet e tyre, ndonjëherë në kredi bankare dhe tek prindërit ose të afërmit” thuhet në konkluzionet e studimit. Me tej shpjegohet se arsyeja kryesore për mungesën e një projekti investimi është kapitali i pamjaftueshëm dhe prandaj shumica e të kthyerve të këtij segmenti të popullsisë kërkon lehtësimin e procedurave administrative të biznesit dhe përfitime tatimore apo ulje taksash për të inkurajuar investimet nga të kthyerit.

Gjithashtu studimi identifikon një rritje të punësimit  në sektorin e bujqësisë. Kjo tregon që të kthyerit po investojnë në bujqësi për veprimtari që gjenerojnë të ardhura.

Në Shqipëri në periudhën 2009-2013 janë kthyer gjithësej 133.544 migrantë shqiptarë, prej të cilëve 98.414 meshkuj dhe 35.130 femra. Shumica e kthimeve për në Shqipëri ka qenë nga Greqia dhe Italia për shkak se migrantët në këto vende kanë humbur punën si pasojë e krizave financiare që kanë goditur këto vende.

(INSTAT)

Gjirofarm SH.A