Embargoja ruse nuk prek eksportet, Panariti: U dyfishuan

19 Gusht 2015 – Embargoja ruse ndaj prodhimeve bujqësore shqiptare nuk ka patur asnjë efekt në rritjen e sasisë dhe vlerës monetare të siguruar nga eksportet tona.

Megjithatë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti deklaroi se sfidë mbetet zënia vend në tregun e Ukrainës.

“Nga të dhënat tona, embargoja ruse nuk ka patur asnjë ndikim ndaj eksporteve shqiptare, përkundrazi frutat dhe perimet janë dyfishuar. Inkurajuese është që kemi prodhim të mbarë”, tha Panariti.

Ministri i Bujqësisë deklaroi se me rëndësi është që, përveç tregjeve rajonale si Kosova, Maqedonia apo Serbia, kemi eksportuar edhe në tregje që paguajnë më mirë për njësi prodhimi, si Gjermania, Danimarka, Zvicra dhe SHBA.

Rusia është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të grurit nga ku furnizohet një pjesë e mirë e tregut shqiptar. Por embargoja e fundit prek edhe këtë sektor. Megjithatë, ministri Panariti deklaroi se janë mundësitë që pjesën më të madhe të tregut ta mbulojë prodhimi vendas i grurit.

“Pata një kontakt të zgjeruar me prodhuesit e grurit dhe të miellit për të stimuluar blerjen e grurit tonë, synojmë 70 përqind të tij. Ne kemi paraqitur paketën e re të standardeve të cilësisë e të sigurisë dhe do t’i qëndrojmë shumë strikt asaj. Gruri i bukës masive duhet të ketë 12 përqind proteina”, deklaroi ministri i Bujqësisë.

Në fund, Panariti siguroi se sanksionet ndaj grurit dhe miellit rus nuk do të prekin çmimet aktuale të bukës.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A