Ekonomia rritet me 2.96 përqind, INSTAT publikon treguesit

16 korrik 2016 – Instituti i Statistikave njoftoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2.96 përqind në tremujorin e parë të vitit. Drejtorja e INSTAT Mirela Muça listoi degët kryesore prej nga erdhi rritja.
“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si tregti, hotele, restorante dhe transporti me 0,85 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,60 pikë përqindje, ndërtimi me 0,55 pikë përqindje”, deklaroi drejtorja e Përgjithshme e INSTAT, Mirela Muça.
Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike vazhdon të udhëhiqet nga rigjallërimi i investimeve.
“Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 7,33 përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015”, u shpreh Mirela Muça.
“Për ndërtimin janë ato subjekte që ndërtojnë kryesisht vepra publike”, sqaroi Etugert Llazi nga INSTAT.
Por edhe konsumi privat është rikthyer në territor pozitiv, pas rënies që shënoi vitin e kaluar.
“Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e parë 2016 u rrit me 1,42 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015. Konsumi final i qeverisë, në tremujorin e parë 2016 u ul me 0,39 %”, thotë Muça.
Qeveria dhe FMN parashikojnë që këtë vit rritja ekonomike të jetë 3.4 përqind, ndërsa Banka e Shqipërisë ka një projeksion më të përmbajtur, rreth nivelit 3 përqind.

(Top Channel )

Gjirofarm SH.A