Ekonomi: Regjistrim më i thjeshtë i bizneseve përmes QKB

“Qeveria po bën gjithë përpjekjet e mundshme për të lehtësuar procedurat e regjistrimit dhe çregjistrimit të bizneseve. Kjo jo vetëm përmes krijimit të mundësisë për të aplikuar në një ndalesë të vetme siç është QKB, por dhe përmes vendosjes së sistemeve inovative në këto zyra që rrisin transparencën dhe mundësinë për aplikime online të bizneseve”.

Këto deklarata, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi i bëri gjatë një vizite inspektimi të zhvilluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, institucion varësie i kësaj ministrie.

Ministrja Ekonomi tha se arsyeja e kësaj vizite lidhet me sipërmarrjen turistike. “Në bazë të ligjit “Për turizmin” dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave për të ndarë dy aktivitete, që janë operatori turistik dhe agjencia turistike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hartuar një udhëzues ku ndan mënyrën e licencimit të këtyre dy aktiviteteve. Procesi ka filluar dhe vazhdon normalisht.

“Ne dëgjuam që ka pasur fluks regjistrimesh dhe riregjistrimesh për këtë periudhë, si dhe kuptuam që komunikimi me biznesin, sipas kësaj që raportohet, është një komunikim normal”, u shpreh Ministrja Ekonomi.

Ministrja përshëndeti dhe krijimin e sportelit të veçantë në QKB që vjen nga zyra e Tatimeve, që synon të lehtësojë sorollatjet e biznesit për ta çregjistruar aktivitetin e tij. Ministrja shtoi se falë sistemeve të reja, që ka aplikuar QKB, sot ecuria financiare e ndërmarrjeve është transparente për çdo agjenci që ka nevojë për informacionin që vjen nga bilanci ekonomik i aktivitetit të një sipërmarrje shqiptare.

Ndërsa drejtoresha e QKB, znj Pranvera Behushi u shpreh se për 2016 suksesi më i madh i QKB ishte shkrirja e QKL dhe QKR në një qendër të vetme, tashmë në 2017 janë disa projekte të rëndësishme, që synojnë të lehtësojnë barrierat e regjistrimit si për subjektet juridike ashtu dhe për personat fizikë, shtetas shqiptarë apo të huaj, por gjithashtu synojnë të rritet transparenca dhe besueshmëria e bizneseve ndaj institucionit të QKB.

/ Top Channel

Gjirofarm SH.A