Doganat, lehtësirat që përfiton biznesi i rregullt

25 Nëntor 2014 – Bizneset që kanë një histori transparente me Drejtorinë e Doganave do të përfitojnë nga proçedurat e thjeshtuara të cilat ulin koston dhe kohën e të bërit biznes.

“Kostot e magazinimit bëhen zero, pasi mallrat nuk kanë nevojë për këtë logjistikë. Kostoja e transportit reduktohet ndjeshëm pasi mallrat nuk kanë nevojë të presin mjetin e transportit për të bërë formalitetin doganor, siç është tani. Gjithashtu, kontakti me Doganën në pjesën më të madhe do të jetë elektronik, përmes mesazheve. Kjo rrit efiçencën, transparencën dhe ul burokracinë e shmang korrupsionin”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.

Me konretisht procedurat e thjeshtuara mundësojnë:

  • Mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik pa pasur nevojë të kryejë formalitetet në një dogane të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente. Kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po nga ambientet e Operatorit Ekonomik.
  • Sikundër do të mund të konstatohet lehtësisht, koha për kryerjen e formaliteteve doganore do të ulet në mënyrë të konsiderueshme dhe gjithçka do të jetë në dorën e operatorit për të përshpejtuar procesin.
  • Kostot e magazinimit reduktohen në 0 pasi operatori shfrytëzon logjistikën e tij gjatë procesit.
  • Kostot e transportit reduktohen ndjeshëm pasi mallrat nuk ka nevojë të presin në mjetin e transportit për të kryer formalitetet doganore.
  • Kontakti me doganën në pjesën më të madhe të rasteve do të jetë vetëm elektronik përmes shkëmbimit të mesazheve elektronike, çfarë rrit thelbësisht transparencën, ul burokracinë duke zvogëluar njëkohësisht mundësinë e shfaqjes së elementeve korruptivë.
  • Kristalizon një marrëdhënie shumë më të përgjegjshme mes doganës dhe Operatorit Ekonomik.
  • Do të mundësohet një formë e re deklarimi e shkurtuar dhe periodike, e cila mundëson kosto me të ulët për operatorin.

Nga aplikimi i Procedurave të Thjeshtuara do të përfitojnë bizneset që plotësojnë kriteret e meposhtme:

  • Operatorët Ekonomikë, të cilët kanë një histori transparente me doganën dhe janë në gjendje të paraqesin provat e besimit dhe të pastërtisë së tyre në operacionet doganore.
  • Operatorët Ekonomikë që do të krijojnë kushtet e përshtatshme logjistike për magazinim të përkohshëm doganor pranë ambienteve të tyre nën mbikëqyrjen doganore.
  • Operatorët Ekonomikë që do të mundësojnë infrastrukturën IT për të mundësuar deklarimin elektronik.
  • Operatorët Ekonomikë që do të mundësojnë garancitë financiare për të garantuar borxhin doganor dhe mbikëqyrjen doganore.
  • Operatorët Ekonomikë që do të angazhojnë staf të besuar dhe të kualifikuar për të qenë pjesë e procedurave të thjeshtuara.

“Sa më i rregullt të jesh, aq më të lehtë e ke të bësh biznes. Kjo është filozofia”, deklaroi zv.ministri i Financave, Ervin Mete.

Proçedurat e thjeshtësuara do të hyjnë në fuqi nga Shkurti i vitit që vjen. Biznesi i cilësoi ato një hap pozitiv, por shprehu shqetësimin lidhur me aplikimin e çmimeve të referencës në dogana.

“Nëse ka kritere për zbatimin e çmimit të referencës, ne dëshirojmë të dimë cilat janë këto kritere dhe dokumenta shtesë që duhen plotësuar për mos aplikimin e këtij çmimi”, shtroi pyetjen një prej përfaqësuesve të biznesit.

“Kemi zotimin që nga muaji Janar të eleminohet aplikimi i çmimit të referencës për mallrat që vijnë nga vendet e BE. Sigurisht, ka vende me risk të lartë, për shkak të pamundësisë për të verifikuar faturat fiskale, për të cilat ne nuk mund t’i heqim çmimet e referencës pasi do të shkaktonim çrregullim të tregut”, u përgjigj Spiropali.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A