Dogana prezanton “Kanalin Jeshil” në Portin e Durrësit

27 Janar 2015 – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prezantoi në Doganën e Portit të Durrësit projektin e “Aplikimit të Kanalit Jeshil”. Në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe Drejtores së Përgjithshme të Doganave Elisa Spiropali, ekspertët e doganës në bashkëpunim me agjencitë doganore kanë bërë aplikimin dhe testimin për herë të parë të Kanalit Jeshil.  Funksionimi i Kanalit Jeshil, që do të thotë “përzgjedhje pa kontroll doganor”, ku biznesi në ndërveprim me agjencinë doganore kryejnë procedurat e zhdoganimit të mallit pa patur nevojën e personelit doganor.

“Vetë subjekti sjell deklaratën doganore pranë agjencisë. Pasi futet në sistem deklarata doganore, pritet në një moment që sistemi i Asycuda të kontrollojë në mënyrë elektronike subjektin edhe deklarimin, nëse ka probleme ose jo, dhe më pas në një afat shumë të shpejtë deklarata kalon në Kanalin Jeshil. Në këtë moment deklarata pranohet si praktikë, më pas agjencia doganore printon deklaratën dhe pa praninë e doganës, paraqitet tek transportuesi, këput shenjën e sigurisë, i jep dokumentet përkatëse shoferit, dhe menjëherë malli niset për në destinacion. Ky proces zhdoganimi kryhet për 10 minuta në total. Më parë ky proces bëhej për 3 orë minimumi”, shpjegon agjenti doganor i cili kreu për herë të parë zhdoganimin e një subjekti në Kanalin Jeshil.

Gjatë fjalës së saj Drejtorja e Përgjithshme e Doganave shpjegoi më në detaje se çfarë është Kanali Jeshil, avantazhet e tij dhe cilat janë përfitimet e biznesit. “Kanali Jeshil ka disa avantazhe që janë të dukshme dhe të qarta për biznesin, ku më kryesorja është ulja e kostos dhe e kohës që bizneset kalojnë në doganë. Shmangia e çdo barriere administrative që bizneset kanë në punën e përditshme me doganën. Dhe më kryesorja shmangia e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit. Kanali Jeshil është një sistem i sofistikuar, një model selektiviteti i Analizës së Riskut i cili mundëson shmangien totale të kontrollit dokumentar dhe kontrollit fizik të mallrave. Në këtë mënyrë konsiderohet jo vetëm lehtësues përsa i përket praktikës doganore dhe shpërndarjes më të mirë të burimeve njerëzore nga ana e doganës, por konsiderohet edhe një sistem më i mirë kontrolli për bizneset” shpjegon Spiropali.

Përsa i përket pjesës se cilat biznese përfitojnë nga kjo praktikë moderne në doganë Spiropali u shpreh: “Bizneset të cilat janë të ndershme, të cilat kanë rekorde shumë të mira në doganë apo në tatime, janë zbatues të përpiktë të ligjit apo kanë bërë investime në sistemet e tyre IT mund të përfitojnë nga Kanali Jeshil, dhe kjo rrit edhe konkurrencën e tyre, rrit edhe nevojën dhe dëshirën e bizneseve për të arritur në këto standarde.”

Gjirofarm SH.A