Depozitat bankare në rritje por me ritëm më të ulët

10 Tetor 2014 – Në gjashtëmujorin e parë të vitit, depozitat e sektorit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë por me ritme më të ulëta krahasuar me gjashtëmujorët paraardhës. Megjithatë në këtë rritje të lehtë, kontributin kryesor e kanë dhënë depozitat e biznesit ndikuar edhe nga pagesa e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj këtij sektori. Ndërkohë depozitat e individëve kanë shënuar një rritje më të vogël.

Në raportin e publikuar nga Banka e Shqipërisë mbi Stabilitetin Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit, thuhet se baza e depozitave për sektorin bankar u rrit me 12.5 miliardë lekë ose 1.2%, duke u ngjitur në nivelin 1,038 miliardë lekë. Depozitat vijojnë të mbeten të përqendruara në bankat më të mëdha të sektorit bankar, por shkalla e përqendrimit të tyre ka rënë në terma vjetorë duke u ngadalesuar në 3%, kundrejt 4.7% në qershor te vitit 2013. Depozitat e individëve, të cilat përfaqësojnë rreth 87.5% të totalit, u rritën me një normë më të ulët vjetore prej 2%, kundrejt rritjes 4.9% një vit më parë. Depozitat e bizneseve u rritën më rreth 9.8% në terma vjetorë, kundrejt rritjes me 8% një vit më parë.

Në strukturën e depozitave vërehet një zhvendosje drejt depozitave me afate më të shkurtra maturimi. Pesha e depozitave me maturim 1-6 muaj është rritur kundrejt atyre me maturim 6 -12 muaj, ndërkohë që pesha e depozitave mbi 12 muaj ka mbetur e pandryshuar në krahasim me periudhën paraardhëse.

Sipas monedhës, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2014, në sistemin bankar u depozituan 17 miliardë lekë më pak se një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe, norma e kthimit për depozitat në lekë zbriti në 2.1%26, nga 4.4% në periudhën e mëparshme.

Edhe depozitat e reja në euro ranë nga 1,270 milionë euro në 1,034 milionë euro, duke ndjekur rënien e normave të kthimit nga 2% në 1%.

Depozitat në dollar amerikan u rritën nga 337 milionë dollarë në 353 milionë dollarë, pavarësisht se norma e kthimit për to tregoi rënie, nga 1.5% në 0.9%.

Bankat e mëdha mbajnë nivelin më të ulët të normave të kthimit të depozitave me një shpërndarje më heterogjene në këtë aspekt. Nga ana tjetër, bankat e vogla kanë ofruar norma më të larta të kthimit të depozitave.

(Banka e Shqipërisë)

Gjirofarm SH.A