Cani: “Dyqane pa taksa” jo vetëm në aeroporte

31 Mars 2015 – Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi ndryshimet në Kodin e ri Doganor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, duke kërkuar ndër të tjera edhe zgjerimin e gamës së magazinave doganore të llojit “duty free shops”.

Sipas Canit, kërkesa për zgjerimin e hapësirave për hapjen e dyqaneve pa taksa, ka ardhur nga vetë biznesi dhe Ministria e Turizmit.

“Ky ndryshim në kodin doganor i hap rrugën investitorëve të rëndësishëm në këtë sektor. Hapja e dyqaneve pa taksa ndikon në mbajtjen e valutës së huaj në vend, pasi rritet niveli i blerjeve. Përmirësimi i situatës dhe infrastrukturës doganore me sistemin e kamerave, ul nivelin e abuzimit në këtë sektor që duam të hapim”, u shpreh ministri Cani.

Aktualisht, Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar praninë e “dyqaneve të çliruara nga taksat” (duty free shops) vetëm në aeroporte. Me anë të këtij projektligji, Këshilli i Ministrave synon të zgjerojë gamën e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops) edhe në disa nga pikat kufitare tokësore dhe detare.

Ndryshimi në Kod shoqërohet me arsyetimin se, në këtë mënyrë “rritet konkurrenca dhe interesi i operatorëve që do t’u jepet kjo e drejtë, që ata të zbatojnë standarde të larta, realizohen çmime më të ulëta, shtohet llojshmëria e produkteve, nxitet transparenca dhe krijohet mundësia e tërheqjes në Shqipëri të investitorëve të huaj seriozë, me eksperiencë dhe me reputacion në këtë fushë shërbimesh”.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A