Bujqësia dhe tekstilet rrisin eksportet në Qershor

29 Korrik 2015 – Pas dy muajve me ecuri negative, eksportet e mallrave u rikthyen në territor pozitiv duke shënuar rritje në Qershor.

Të dhënat e fundit zyrtare nga INSTAT tregojnë se muajin e kaluar, kompanitë shqiptare eksportuan 23.8 miliardë lekë mallra, ose 5.8 për qind më shumë sesa qershori i një viti më parë. Sipas shifrave, rritja është ndikuar kryesisht nga zgjerimi i eksporteve bujqësore dhe tekstilet.

Por, edhe pse shënuan rritje në qershor, në total si gjashtëmujor eksportet janë 2.3 për qind më të ulëta se një vit më parë. Kjo, për shkak të rënies së fortë në grupin e mineraleve dhe energjisë, eksportet e të cilave janë tkurrur në gjysmën e parë të vitit me gati 22 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, sipas INSTAT-it, pjesa më e madhe e kësaj rënieje është kompensuar nga eksportet e ushqimeve, ato të materialeve të ndërtimit dhe makineri-pajisjeve.

Panorama e qarkullimit të mallrave ka qenë e ngjashme edhe në kahun tjetër të shkëmbimeve tregtare, atë të importeve. Sipas INSTAT, për 6 muajt e parë të këtij viti, importet ishin 1.1 për qind më të ulëta se vitin e kaluar.

Edhe tek importet, rënia i dedikohet tërësisht grupit të energjisë dhe karburanteve, ndërsa zërat e tjerë kanë shënuar rritje, ku spikasin veçanërisht importet e makineri-pajisjeve, të cilat janë rritur me 14.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A