BSH ul normën bazë të interesit, Sejko: Synojmë nxitjen e konsumit

5 Nëntor 2015 – Banka e Shqipërisë uli sërisht normën bazë të interesit duke e zbritur atë në nivelin 1.75 përqind, që është edhe minimumi i ri historik. Kjo është ulja e 14 me reradhë e normës bazë dhe Guvernatori Gent Sejko shpjegoi arsyet se pse Këshilli Mbikëqyrës doli në këtë vendim.

“Informacioni i fundit ekonomik është në linjë me pritshmëritë tona, por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në kahun  e poshtëm të këtyre parashikimeve. Në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe inflacioni objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, projeksionet sugjerojnë nevojnë për forcimin e stimujve monetarë në ekonomi për  të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për  të forcuar më tej kanalin e kredisë”, deklaroi Guvernatori, Genti Sejko.

Banka priste që rritja ekonomike e këtij viti të luhatej në intervalin nga 2.5 deri në 2.7 përqind, por sipas saj të dhënat e fundit sugjerojnë se mundësitë më të mëdha janë që rritja të jetë 2.5 përqind dhe rikthimi i ekonomisë në ekuilibër, i parashikuar për fundin e vitit 2017-të, mund të kërkojë më shumë kohë.

“Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë kërkon rritjen e stimulit monetar dhe ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare, për një periudhë më të gjatë sesa vlerësimet tona të mëparshme”, shtoi Sejko.

Por Guvernatori u kujdes t’i bënte të qartë qeverisë se ulja e normës bazë, edhe pse e ndihmon ekonominë nuk i kuron problemet e saj. Këtë mund ta bëjnë vetëm reformat.

“Këto stimule monetare, afrojnë kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por nuk është në gjendje që të sigurojë rritjen afatgjatë të ekonomisë dhe nuk duhet parë si zëvendësues i këtyre reformave strukturore. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës rithekson edhe njëherë nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore të ndërmarra në ekonomi”, tha Sejko.

Mbajtja e politikës monetare në kahun lehtësues synon të nxisë konsumin dhe investimet për të pastruar tepricën e kursimeve që është krijuar në ekonomi.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A