BSH: Rriten investimet e huaja në 3-mujorin e parë

12 Qershor 2015 – Banka e Shqipërisë njoftoi se investimet e huaja direkte u rritën me 48.7 për qind në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.

Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare që banka publikoi në bilancin e pagesave, investimet e kompanive të huaja në ekonominë shqiptare u rritën nga 172 milionë euro në tremujorin e parë të 2014-s, në 255.9 milionë euro këtë tremujor.

Sipas raportit analitik të Bankës, pjesa më e madhe e kapitaleve nga jashtë, ose 60 për qind e tyre, janë investuar në sektorin e hidrokarbureve.

Ndërsa në vend të dytë dhe të tretë vijnë investimet në sistemin bankar me 14 për qind të totalit dhe ato në tregun e telekomunikacioneve me 3 për qind.

Vitin e kaluar investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare ishin 877.5 milionë euro, duke rënë me 7.1 për qind krahasuar me 2013-n.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parlajmëruar se rënia e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar mund të bëjë presion për ndrydhjen e investimeve të huaja në këtë sektor, që është dhe ai me pjesën më të madhe të tyre.

Por, sipas Bankës së Shqipërisë, të paktën për tre muajt e parë të vitit, koncesionarët e naftës kanë investuar në ekonominë shqiptare më shumë se një vit më parë.

Banka Qendrore ka parlajmëruar se investimet e huaja direkte do të jenë përcaktuese në rimëkëmbjen e ekonomisë, rritjen e punësimit dhe aftësisë për të prodhuar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A