BSH: Rregullore e re për kreditimin, kufizon abuzimet e bankave

14 Korrik 2015 – Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila kufizon hapësirat që bankat private të abuzojnë me kredimarrësit.

Rregullorja mbulon kreditë konsumatore dhe ato që merren për shtëpi apo pasuri të tjera të paluajtshme, të cilat ndryshe njihen si kredi hipotekore.

Sipas saj, përmes një formulari të paracaktuar standard, bankat detyrohen të vënë në dijeni kredimarrësit për normën reale të interesit dhe çdo komision apo kosto tjetër që ata do të paguajnë për kredinë, përfshirë ato që konsiderohen si kosto të fshehura.

Paralelisht, rregullorja u jep të drejtën konsumatorëve të tërhiqen nga kredia edhe pasi e kanë nënshkruar kontratën me bankën, pa qenë të detyruar të japin shpjegime për këtë vendim.

Specifikisht, për kreditë konsumatore, individët kanë të drejtë të tërhiqen deri në 14 ditë, pasi e kanë nënshkruar kontratën, ndërsa për kreditë e marra për shtëpi apo qëllime të tjera periudha është 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës.

Nëse përgjatë kësaj kohe ata kanë tërhequr fonde nga kredia, atëherë banka i njofton konsumatorët për vlerën që duhet të kthejë përpara se kredia të mbyllet.

Veç forcimit të transparencës, rregullorja e re kufizon edhe komisionet që bankat private mund të ngarkojnë mbi kredimarrësit kur ata e shlyejnë borxhin përpara afatit.

Deri më tani, bankat mund të vendosnin komisione pa asnjë limit ligjor, por me rregulloren e re ato nuk mund t’i detyrojnë klientët të paguajnë më shumë se 2 për qind të vlerës së kredisë, nëse ata duan ta shlyejnë huanë përpara afatit të rënë dakord në kontratën e kredisë.

Prej disa vitesh, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një sërë aktesh rregullatore për të mos lejuar abuzimet ndaj klientëve në tregun bankar.

Por shumica e tyre kanë qenë në formën e udhëzimeve, të cilat tani marrin një rang më të lartë juridik përmes rregullores.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A