BSH: Nga 1 Dhjetori monedha të reja metalike 1 Lek dhe 10 Lek

4 Nëntor 2014 – Nga 1 Dhjetori i këtij viti, Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim monedhat e reja metalike shqiptare me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lek, me kurs ligjor, emetime të vitit 2013. Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë monedha e re metalike me vlerë 1 Lek, do të ketë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 1 Lek e cila qarkullon aktualisht në treg. Ndryshimi qëndron vetëm tek viti i emetimit në trupin e monedhës I cili do të jetë “2013” dhe jo “2008”.

Po kështu Banka e Shqipërisë njofton se i njëjti ndryshim do te jetë edhe për monedhën e re metalike me vlerë nominale 10 Lekë. “Monedha e re metalike, me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2013, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë, me monedhën metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2009, hedhur në qarkullim më 26 mars 2010. Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit në trupin e monedhës, i cili në monedhën e re do të jetë “2013”, sqaron Banka e Shqipërisë.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 06, datë 17.01.2013 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Gjirofarm SH.A