BSH: Në Shtator kredia për ekonominë u ul me 0.1%

31 Tetor 2014 – Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, në fund të muajit Shtator, stoku i kredisë për ekonominë ishte 556 miliardë lekë, duke rënë lehtë me 500 milionë lekë, apo rreth 0.1%, krahasuar me një muaj më parë.

Ndërsa, rritja vjetore e kredisë vazhdon të qëndrojë në territor pozitiv, me rreth 1.6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2013.

Sipas statistikave mujore të publikuara nga BSH-ja, kredia për ekonominë deri në muajin Mars të këtij viti shënoi rritje të vazhdueshme, për gjashtë muaj radhazi, duke thyer tendencën negative rënëse, që kishte mbizotëruar gjatë dy viteve të fundit.

Ndërsa frenimi i kredisë në shtator, sipas BSH-së, i adresohet tkurrjes së huasë për koorporatat financiare jo banka, si në lekë ashtu dhe në valutë. Përcaktues në frenimin e kreditimit, siç ndodh zakonisht, ishte segmenti i biznesit, ku totali i kredisë u ul me rreth 750 milionë lekë. Sistemi bankar në vend siç raporton BSH-ja është i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Ekspertët shprehen se kalimi me sukses i stress-testeve nga grupet bankare të Eurozonës që veprojnë edhe në Shqipëri mund të ketë një efekt në çlirimin e mëtejshëm të kreditimit edhe në ekonominë shqiptare.

Sipas tyre, kalimi i kësaj prove është një element më shumë sigurie për bankat, që do të reflektohet në vijimësinë e rimëkëmbjes së ofertës për kredi edhe në tregun shqiptar. Sfida për sistemin bankar është ulja e marzheve të interesit mes depozitave dhe kredive, për të ofruar financime me çmim më të ulët.

Stress-testet e kryera nga Banka Qendrore Europiane, mbështetur në të dhënat e fundit të vitit 2013, treguan se shumica e bankave të Eurozonës do të zotërojnë kapitalizim të mjaftueshëm edhe në rastet e skenarëve të rënduar ekonomikë.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A