BSH: Kreditë e këqija vazhdojnë të rriten

17 Nëntor 2014 – Edhe pse qeveria ka paguar rreth 260 milionë dollarë borxhe të prapambetura ndaj biznesit, niveli i kredive të këqija në banka vazhdon të rritet.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të Shtatorit, kreditë me probleme arritën në rreth 24.9 për qind, nga 24.06 për qind që ishin në tremujorin e dytë.

Në total për këtë vit, qeveria ka planifikuar të shlyejë 35 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj sipërmarrjes. Kjo është sa 2.5 për qind e gjithë Prodhimit Kombëtar.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura ka krijuar një situatë më të mirë likuiditeti në treg.

FMN thotë se kjo ka përmirësuar gjendjen financiare të bizneseve duke ndihmuar ekonominë të ringrihet. Por në uljen e kredive me probleme, të paktën deri tani efekti i shlyerjes masive të borxheve ka qenë i papërfillshëm.

Kjo ka shqetësuar edhe vetë deputetët e maxhorancës, të cilët në Komisionin e Ekonomisë kanë kërkuar nga Ministria e Financave një raport të hollësishëm mbi shlyerjen e borxheve dhe efektin e tyre në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.

Aktualisht Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon. FMN thotë se ulja e tyre është kritike, jo vetëm për të zhbllokuar kreditimin e ekonomisë, por edhe ringritjen e saj.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A