BSH: Bien me 5.8 % çmimet e apartamenteve dhe me 17 % qiratë

7 Nëntor 2014 – Indekset e çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave kanë shënuar rënie vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2014. I deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumatorit, indeksi i çmimit të banesave ra me 5.8 % në tremujorin e tretë, një rënie kjo e krahasueshme me rënien mesatare të këtij indeksi gjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë, indeksi i qirasë regjistroi rënie reale me 17% në këtë tremujor.

Të dhënat u publikuan në raportin e Politikave Monetare nga Banka e Shqipërisë, ku theksohet se kjo rënie është më e madhja e regjistruar që nga viti 2009.

Sipas raportit këto zhvillime janë ndikuar nga kërkesa e dobët për blerje banese dhe nga oferta e shtuar për banesa me qira.

Dinamika vjetore e indeksit të çmimit dhe e indeksit të qirasë ka qenë e ngjashme gjatë viteve të fundit. Treguesi që përmbledh zhvillimet e të dy indekseve, raporti i indeksit të çmimit ndaj qirasë, vijon të luhatet afër mesatares së gjashtë viteve të fundit. Në tremujorin e tretë ky raport regjistroi një rritje me 0.2 pikë përqindje nga tremujori i dytë, i ndikuar në një masë më të madhe nga rënia e qirave se sa nga rënia e çmimeve.

(Banka e Shqipërisë)

Gjirofarm SH.A