BSH: Bankat lehtësuan dhënien e kredive për individët

7 Nëntor 2014 – Në tremujorin e tretë të vitit standardet e kredisë mbetën të pandryshuara për bizneset dhe u lehtësuan për individët. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan prirjen lehtësuese të standardeve për të dy llojet e kredisë: për blerje banese dhe për kredinë konsumatore.

Lehtësimi i standardeve u ndikua nga faktorë që lidhen me gjendjen e likuiditetit të vetë bankave, nivelin e konkurrencës në sistemin bankar dhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Disa nga faktorët kryesorë që dhanë ndikim për shtrëngimin e standardeve janë gjendja financiare e individëve dhe bizneseve, kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kushtet e vendosura nga bankat në momentin që miratojnë një kredi të re u përmirësuan, kryesisht në terma të uljes së marzhit mesatar për të dy llojet e klientëve, biznese dhe individë.

Për bizneset, rritja e kërkesës për kolateral në tremujorin e tretë u përdor për të zbatuar një politikë më konservatore. Në përgjithësi, kushtet e vendosura nga bankat për individët u përmirësuan në tremujorin e tretë.

Kërkesa për kredi është vlerësuar në rritje, si për bizneset ashtu dhe për individët. Ndonëse përqindja neto e bankave që shprehen për rritje të kërkesës nga bizneset është pozitive, ajo është në rënie në krahasim me tremujorin e kaluar. Për individët konfirmohet një situatë më optimiste se sa për bizneset.

Pritjet e bankave janë më pak optimiste se sa vlerësimi për situatën korrente. Standardet e kredidhënies nuk pritet të lehtësohen në tremujorin e katërt, megjithëse bankat presin rritje të kërkesës, si nga bizneset ashtu edhe nga individët në tremujorin e katërt të vitit.

(Banka e Shqipërisë)

Gjirofarm SH.A