BSH analizë situatës ekonomike. Rimëkëmbja e plotë në vitin 2017

7 Gusht 2015 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka bërë një bilanc të hollësishëm mbi situatën ekonomike në vend.

“Rritja ekonomike e vitit 2015 pritet të jetë më e lartë se ajo e një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, tremujori i parë shënoi një rritje vjetore të aktivitetit ekonomik prej 2.8%. Kjo normë ishte më e lartë se pritjet tona dhe pasqyron kryesisht rritjen e investimeve dhe të eksporteve neto. Të dhënat indirekte të disponuara, sugjerojnë për norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë”, tha Sejko.

Por, Banka e Shqipërisë parashikon se rritja ekonomike në gjysmën e dytë të vitit do të rrudhet në gjysmën e dytë të vitit. Guvernatori shpjegon se kjo vjen si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi. “Megjithatë, marrëveshja e arritur në muajin korrik 2015, është pikënisje për normalizimin e situatës në vendin fqinj. Për rrjedhim, efektet më të mundshme në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtar dhe të remitancave, pa cënuar aktivitetin e sistemit financiar. Si të tilla, këto efekte pritet të jenë kalimtare”, deklaroi Guvernatori.

Këshilli mbikëqyrës vlerëson se niveli i ulët i inflacionit është rezultat i kërkesës së plogësht për konsum. Ndaj Guvernatori orientoi paraprakisht tregun se norma e interesit do të mbahet e ulët për të nxitur konsumin dhe investimet.

“Nga këndvështrimi makroekonomik, rritja e ngadaltë e çmimeve pasqyron efektin e një kërkese të dobët agregate si dhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore. Ndikimi i këtyre faktorëve do të vazhdojë të jetë i pranishëm në horizontin afatshkurtër. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 2%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se inflacioni do të vazhdojë të rritet më tej gjatë dy viteve të ardhshme dhe të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin tonë prej 3%, rreth fundit të vitit 2017”, tha ai.

Banka pret që ekonomia të rikthehet në ritëm të plotë në fund të vitit 2017. Por nuk përjashton që gjatë rrugës të mund të ketë rreziqe të papritura, një prej të cilëve është duke e monitoruar hap pas hapi.

“Banka e Shqipërisë po monitoron me kujdes situatën në Greqi dhe ndikimin e saj në ekonominë shqiptare.Në rast se zhvillimi i ngjarjeve do të japë një ndikim negativ të fortë e të zgjatur në kohë mbi ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë disponon instrumentet e duhura dhe mbetet e gatshme të marrë masa shtesë për përmbushjen e objektivave të saj”, deklaroi Guvernatori Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës e mbajti të pandryshuar në 2 përqind normën e interesit. Në kahun fiskal, Guvernatori e cilësoi pozitive ruajtjen e deficitit nga qeveria edhe në buxhetin rishikuar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A