Biznesi i vogël nis zbatimin e vendimit mbi pagën minimale dhe maksimale

15 Tetor 2014 – Të gjitha bizneset e vogla të cilat këtë muaj bëjnë deklarimet online të pagave për tremujorin e tretë të vitit 2014, duhet të vënë në zbatim ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave mbi pagën minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve citohet se duke filluar nga data 1 Gusht 2014 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të jetë jo më pak se 19.406  (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtë) lekë, ndërsa paga maksimale mujore do  të jetë 97.030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë.

Për të vetëpunësuarin (person fizik), për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët ai punon e bashkëjeton, kontributet e sigurimeve shoqërore llogariten mbi bazën e pagës mujore 19.406 lekë, ndërsa kontributet e sigurimeve shëndetësore llogariten mbi bazën e dyfishit të kësaj page e barabartë me 19.406 x 2 = 38.812 (tridhjetë e tetë mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekë.

Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve regullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Kjo pagë, sipas VKM nr. 573 date 03.07.2013 “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”, vazhdon të jetë 22.000 (njëzet e dy mijë) lekë. ”

Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të punësuarit, nga data 01.8.2014 e në vazhdim, është paga bruto, sipas përcaktimeve në pikën 1, të kreut II, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1114, datë 30.7.2008, i ndryshuar, pra pa kufi të sipërm të pagës.

Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, si dhe për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 01.08.2014 e në vazhdim do të jetë 4.070 (katër mije e shtatëdhjetë ) lekë nga të cilat, 2.750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1.320 (një mijë e treqind e njëzet) për sigurime shëndetësore.

Zbatimi i V.K.M. nr.457, datë 09.07.2014, fillon me pagat e periudhës tatimore gusht 2014 e në vazhdim.

Burimi: Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve

Gjirofarm SH.A