BERZH ul parashikimin për Shqipërinë në 2.3 për qind

6 Nëntor 2015 – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e uli lehtësisht vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, nga 2.5% që parashikonte në maj, në 2.3%.

Në raportin e fundit për ekonomitë rajonale, BERZH-i thotë se ekonomia shqiptare ka patur një ecuri të qëndrueshme gjatë këtij viti, duke i rezistuar me sukses përmbytjeve në jug të vendit gjatë tremujorit të parë. Megjithatë, ajo vëren se qeveria shqiptare po lufton të arrijë objektivat e vendosura në marrëveshjen me FMN-në. BERZH-i thekson se qeveria ka përshkallëzuar përpjekjet për të reduktuar informalitetin në ekonomi, të cilat sipas saj duhet të japin rezultat në afatmesëm.

Por ndonëse parashikon një rritje më të ulët ekonomike për këtë vit, BERZH-i ka përmirësuar parashikimet për vitin tjetër, duke i rritur ato nga 3 në 3.3%. Sipas saj, arsyeja për këtë optimizëm lidhet me përmirësimin e pritshëm të situatës në eurozonë dhe fillimin e punëve madhore të gazsjellësit Transadriatik, një projekt madhor i cili mendohet se do të sjellë 1 miliardë dollarë investime në Shqipëri.

Nga ana tjetër, BERZH-i paralajmëron se ekonomia mund të ketë probleme nga rikthimi i azilantëve. Sipas saj, gjatë këtij viti më shumë se 20% e kërkesave për azil në Gjermani ishin nga Shqipëria dhe Kosova. Shpallja e këtyre vendeve si të sigurta nga Bashkimi Evropian, vëren BERZH-i, do të thotë se një numër shumë i madh i këtyre emigrantëve do të rikthehen, çka mund të krijojë probleme në këto ekonomi.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A